Partia Demokratike akuzon qeverinë për procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, me vlerë rreth 15 milionë euro, dhe kërkon anulimin e tenderit si dhe nisjen e hetimeve nga SPAK. Sipas PD, dokumentet e publikuara në media ngrejnë pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve publike dhe rrezikun për sigurinë kombëtare. Opozita pretendojnë se kompania e shpallur fituese, Air Tractor Europe S.L., është përfshirë në procese gjyqësore në Spanjë që lidhen me manipulime tenderësh dhe korrupsion në sektorin e avionëve për shuarjen e zjarreve, çështje që sipas PD-së duhej të ishin marrë parasysh gjatë procedurës së prokurimit. Për këto arsye PD kërkon anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe hetim të thelluar për përgjegjësit.
Ministria e Mbrojtjes kundërshton akuzat, duke deklaruar se procedura është zhvilluar në përputhje me ligjin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, mbi bazën e parimeve të transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë. Ministria mohon që të ketë pasur një “tender të mbyllur”, dhe sqaroi se në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, ndërsa kompania fituese është përzgjedhur pasi paraqiti ofertën me çmimin më të ulët. Sipas Ministrisë, operatori tjetër u skualifikua për shkak se nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik.
Në lidhje me pretendimet për kompaninë fituese, Ministria thotë se AVIATION TRADE EUROPE, S.L. ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e rekordeve penale dhe se nuk ka ndalim ligjor për pjesëmarrje në procedura prokurimi. Ministria argumenton se çështjet e përmendura në media lidhen me një proces gjyqësor në Spanjë që, sipas saj, nuk ka marrë ende formë të prerë dhe nuk prodhon efekte juridike për përjashtimin e kompanisë nga procedurat publike. Po ashtu, Ministria thekson se kompania vijon të kontraktojë me institucione të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Përfundimisht, Ministria shkruan se blerja e tre avionëve për shuarjen e zjarreve përbën një investim strategjik për rritjen e kapaciteteve të reagimit ndaj emergjencave dhe mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe mjedisit.

