Presidenti rus Vladimir Putin udhëton drejt Kinës për t’u takuar me homologun kinez Xi Jinping, më pak se një javë pasi presidenti amerikan Donald Trump përfundoi vizitën e tij në Pekin. Vizita, që zgjat sot dhe nesër, pritet të tërheqë vëmendjen mediatike në një kohë kur Kina duket të kërkojë një marrëdhënie të qëndrueshme me SHBA-në, ndërsa ruan lidhjet e forta me Rusinë.
Kremlini njoftoi se në agjendë janë bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve si dhe “çështjet kyçe ndërkombëtare dhe rajonale”. Vizita përkon me 25-vjetorin e Traktatit të Miqësisë Ruso-Kineze, të nënshkruar në vitin 2001. Pas pushtimit të Ukrainës në 2022, Kina është bërë partnere kryesore e Rusisë; Pekini deklaron neutralitet për konfliktin, por vazhdon marrëdhëniet tregtare me Moskën pavarësisht sanksioneve ekonomike dhe financiare nga SHBA-ja dhe Europa.
Analisti politik kinez Jianli Yang vë në dukje se lajmi për ardhjen e Putinit në Pekin u bë publik pak pasi Trump u largua nga Kina, duke i dhënë takimitt një simbolikë të veçantë. Sipas tij, vizita nuk është thjesht një takim dypalësh, por një ngjarje me pasoja të thella për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë dhe për formimin e kontureve të një rendi të ri global.
Yang shton se koha e zgjedhur la përshtypjen se Putin ka frikë të jetë “në menu” dhe jo “në tryezë”, duke nënkuptuar shqetësimin se SHBA dhe Kina mund të jenë duke diskutuar një ekuilibër të ri global ku Rusia mund të mos ketë ndikim të mjaftueshëm. Për këtë arsye, thotë analisti, Putini nxitoi për të forcuar pozicionin e Moskës dhe për t’u siguruar që Rusia të jetë palë aktive, jo subjekt i negociatave mes të tjerëve.
Burim: Top Channel.

