Një sulm ndaj aeroportit ndërkombëtar “King Khalid” në Riad ka shkaktuar 12 viktima dhe 309 të plagosur, disa në gjendje kritike. Mes viktimave është edhe një shtetas amerikan. Autoritetet e aviacionit civil konfirmuan bilancin dhe njoftuan se operacionet në aeroport u pezulluan përkohësisht ndërsa nisi vlerësimi i dëmeve.
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështet qeverinë jemenase të njohur ndërkombëtarisht, ka akuzuar rebelët Huthi, të cilët marrin mbështetje nga Irani, për sulmin ndaj terminalit të pasagjerëve. Zëdhënësi i koalicionit, Turki al-Maliki, e përshkroi sulmin si një “krim lufte” dhe deklaroi se “Komanda e koalicionit do t’i përgjigjet me vendosmëri këtij sulmi terrorist”. Megjithatë, sipas raportimeve ndërkombëtare, grupi Huthi nuk e mori përgjegjësinë për sulmin.
Presidenti amerikan Donald Trump dënoi ngjarjen si “të papranueshme” dhe tha se do të bisedojë me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman. I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara mund të bashkohen me Arabinë Saudite në sulmet ushtarake kundër Huthit, Trump la të hapur mundësinë duke thënë se “Është e mundur. Do ta shqyrtojmë. Sapo morëm vesh për sulmin e fundit, ndaj do të marrim një vendim. Ne veprojmë shumë shpejt”.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Jemenin, Hans Grundberg, e konsideroi sulmin një përshkallëzim serioz të situatës, që përbën kërcënim për sigurinë rajonale, nxit cikle dhune dhe vështirëson përpjekjet për paqe në Jemen. Ai i bëri thirrje rebelëve Huthi të ndalojnë sulmet ndaj objektivave civile në Arabinë Saudite dhe theksoi nevojën për mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile.
Pas ngjarjes, ambasada amerikane në Arabinë Saudite rriti nivelin e alarmit për shtetasit amerikanë dhe vendosi kufizime për personelin në aeroportet e Xhedas dhe Dammamit. Punonjësit e qeverisë amerikane duhet të marrin autorizim të posaçëm për të përdorur aeroportin “King Khalid” në Riad dhe aeroportet e Xhedas dhe Dammamit. Ngjarja rrit shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.

