Anxhela Paparizo është liruar nga detyra si drejtoreshë e QSUT-së; vendin e saj do ta zërë Rudina Degjoni. Paparizo reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku falënderoi stafin dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen dhe profesionalizmin gjatë drejtimit të spitalit. Në postim ajo renditi një sërë ndërhyrjesh dhe avancimesh institucionale dhe klinike të realizuara gjatë mandatit të saj.
Midis rezultateve të përmendura janë realizimi i dy rasteve të para të implementimit të protezës së gjirit dhe krijimi i Qendrës së Gjirit, si dhe organizimi i Konferencës së Neurologjisë. U rikonstruktua Punkti i Kimioterapisë dhe u përmirësua planifikimi i konsultave onkologjike për të rritur dinjitetin dhe efikasitetin për pacientët. Filluan punimet për godinën e re të shërbimit të Djegie-Plastikës dhe u menaxhua fushata e vaksinimit për stafin mjekësor.
Paparizo deklaroi se janë ulur ndjeshëm radhët e pritjes për shërbimet e imazherisë dhe është siguruar plotësimi i listës së barnave për përdorim spitalor. Forcuan kapacitetet me një sallë të dedikuar për anestezinë në Onkopediatri, si dhe u vunë në funksion kabinete të reja: audiometrie në fushë të hapur dhe testimi vestibular, ky i fundit i vetmi në sistemin publik shëndetësor në Shqipëri. Gjithashtu, u krijua një linjë e dedikuar për denoncimin e rasteve të korrupsionit, në funksion të transparencës dhe llogaridhënies.
Në fushën klinike u realizua prova klinike me atropinë për trajtimin e miopisë tek fëmijët, u rikthyen ekipet multidisiplinare (tumorbordet) dhe u shtuan dy injeksione të reja intravitreale për pacientët me rrezik humbjeje të shikimit nga diabeti. U vunë në funksion vitrektomia dhe rastet e para me këtë metodë, si dhe akseleratori i tretë për trajtimet onkologjike. U mbështetën metoda të reja miniinvazive kardiake dhe nisi aplikimi i injeksioneve për ruajtjen e shikimit tek bebet premature.
Sipas postimit, janë hartuar dhe miratuar 38 protokolle pune, është forcuar bashkëpunimi me shefat e shërbimeve, janë kryer 309 kostifikime për menaxhim financiar dhe institucional më të saktë, dhe është riaplikuar për procesin e vetëmenaxhimit spitalor. Paparizo theksoi se këto arritje janë rezultat i punës së ekipit të QSUT-së dhe shprehu krenari dhe mirënjohje për përkushtimin e stafit, duke shprehur besimin se institucioni do të vazhdojë të zhvillohet në shërbim të pacientëve.

