Ministria e Jashtme reagoi pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e kësaj ideje. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, shprehu “shqetësim të thellë”, duke nënvizuar se ndryshimi i rrjedhës së një lumi që bën pjesë në një sistem ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje vetëm e brendshme e një shteti. Hoxha theksoi se çdo ndërhyrje që mund të ndikojë në territorin, mjedisin, sigurinë dhe furnizimin me ujë të një vendi tjetër duhet t’i nënshtrohet së drejtës ndërkombëtare dhe të kryhet përmes konsultimeve me palën e prekur.
Ministri iu referua detyrimeve ndërkombëtare të Serbisë, duke përmendur se Beogradi është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010. Hoxha thekoi si principe themelore përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, parandalimin e dëmeve ndërkufitare dhe detyrimin për bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe konsultim për masat me pasoja ndërkufitare.
Presidenti Vuçiç deklaroi se ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit daton që nga 1985 dhe e lidhi atë me nevojat e banorëve pranë liqenit. Ai pretendoi se një projekt i tillë mund të ndikojë në uljen e nivelit të ujit në liqenin e Ujmanit, nga i cili furnizohet me ujë Kosova, dhe u ndal te prishjet e objekteve pa leje pranë këtij liqeni, duke thënë se po i ndjek zhvillimet. Vuçiç tha se janë ftuar ekspertë, inxhinierë dhe sektorë të ndërtimit për shqyrtim dhe se Serbia do të veprojë sipas interesave të saj, duke nënvizuar sovranitetin e shtetit.
Në postimin zyrtar, Shqipëria përsëriti shqetësimin dhe kërkoi që çdo projekt që ndikonte në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar dhe përmes konsultimit me palën e prekur. Shqipëria thekoi se uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe shprehu mbështetjen për të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve ujore, duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane.

