Jorge Jesus ka shpallur listën e tij të parë si trajner i Portugalisë, ku përfshihet edhe Cristiano Ronaldo. Trajneri ka ruajtur pjesën më të madhe të grupit që mori pjesë në Botërorin 2026, duke i dhënë një tjetër mundësi kapitenit 41-vjeçar. Rikthimi i Ronaldos ndodh ndërsa e ardhmja e tij me Kombëtaren vazhdon të jetë temë e diskutimeve.
Gjatë Botërorit, Ronaldo konfirmoi se turneu në SHBA, Meksikë dhe Kanada do të ishte Kupa e tij e fundit të botës. Pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja në fazën e 1/8-ve, sulmuesi deklaroi se nuk dëshironte të merrte vendime të nxituara për të ardhmen me Kombëtaren. FIFA konfirmoi gjithashtu se Ronaldo kishte mbyllur kapitullin e tij në Kupën e Botës, por jo domosdoshmërisht atë me përfaqësuesen portugeze.
Më parë, në nëntor 2025, Ronaldo kishte thënë se synonte të tërhiqej nga futbolli brenda “një ose dy vitesh”, ndërsa në gusht të këtij viti deklaroi se sezoni 2026/27 ishte “ndoshta” i fundit i karrierës së tij. Megjithatë, për momentin ai vazhdon të jetë pjesë e planeve të Portugalisë.
Jorge Jesus mori drejtimin e kombëtares pas largimit të Roberto Martinez dhe ka deklaruar se nuk kishte ndërmend të bënte ndryshime drastike në skuadër. Ai e ka lënë të hapur vazhdimin e bashkëpunimit me Ronaldon, duke e konsideruar sulmuesin një figurë qendrore për ekipin për sa kohë që është në gjendje fizike të luajë.
Në listën e re janë përfshirë edhe emra si Nuno Mendes, Vitinha dhe João Neves, ndërsa rikthehet edhe ish-mbrojtësi i Marseille, Nuno Tavares. Portugalia do të ketë një kalendar të ngjeshur në këtë periudhë ndërkombëtare, me sfida ndaj Uellsit, Norvegjisë, Danimarkës dhe sërish Norvegjisë.
Aventura e parë e Jorge Jesus në krye të Portugalisë nis me vendimin që tërheq vëmendjen: Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë pjesë e Kombëtares, pavarësisht se ai vetë kishte konfirmuar Botërorin 2026 si të fundit në karrierë.

