Pas reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) për hyrjen në fuqi të Rregullores së re të GJKKO-së, ka dalë edhe reagimi i rrjetit rajonal SafeJournalists, i cili shpreh shqetësim për disa dispozita që lidhen me aksesin dhe punën e medias në gjykatë. SafeJournalists kërkon rishikimin e rregullave, duke argumentuar se kufizimi i përdorimit të telefonave dhe pajisjeve elektronike, procedurat e akreditimit dhe kërkesat paraprake për ndjekjen e seancave mund të vështirësojnë punën e gazetarëve dhe të kufizojnë të drejtën e publikut për t’u informuar. Rrjeti i bën thirrje GJKKO-së të rishikojë dispozitat përmes konsultimit me gazetarët, organizatat e medias dhe ekspertët ligjorë.
Në deklaratën e tij, SafeJournalists pranon përgjegjësinë e Gjykatës së Posaçme për t’u siguruar që proceset të jenë të sigurta dhe të mirorganizuar, dhe vlerëson se rregullorja përmban garanci për transparencë, trajtim të barabartë dhe vendimmarrje të arsyetuar. Në të njëjtën kohë, rrjeti thekson se “efekti i kombinuar i disa dispozitave rrezikon të kufizojë aftësinë e gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt proceset gjyqësore, për të mbajtur shënime të sakta, për të komunikuar me redaksitë e tyre dhe për të raportuar në kohë për çështje me interes të jashtëzakonshëm publik.”
SafeJournalists jep rekomandimin që të pezullohet zbatimi i dispozitave të kundërshtuara që lidhen me median dhe të zhvillohet një rishikim i fokusuar, i cili të përfshijë konsultime kuptimplote me gazetarët, organizatat e medias, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile. Rrjeti nënvizon nevojën për një proces konsultimi që të adresojë saktë shqetësimet lidhur me kufizimet praktike që mund t’i imponohen raportimit dhe aksesit në informacion të procedurave gjyqësore.
Deklarata përmend rëndësinë e balancimit midis sigurisë dhe integritetit të procesit gjyqësor nga njëra anë, dhe mbrojtjes së funksionit të medias dhe të së drejtës së publikut për informim nga ana tjetër. Në fund të njoftimit bëhet thirrja që GJKKO të ndajë dhe rishikojë dispozitat përkatëse nëpërmjet konsultimeve të përbashkëta, si hapi i mëtejshëm drejt zgjidhjes së shqetësimeve të ngritura. Top Channel.

