Emërimi i Paolo Maldinit si drejtor teknik i Federatës Italiane të Futbollit ka vënë në qendër çështjen e zgjedhjes së trajnerit të ri të kombëtares, me Maldinin që do të punojë së bashku me Leonardon në strukturën e re drejtuese të FIGC-së dhe pritet të luajë rol kyç në përzgjedhje. Sipas mediave italiane, në garë janë pesë emra: Pep Guardiola, Carlo Ancelotti, Antonio Conte, Roberto Mancini dhe Stefano Pioli.
Në krye të listës figurojnë Guardiola dhe Ancelotti, trajnerë me arritje të mëdha në nivel klubesh. Guardiola përshkruhet si emër që do t’i rikthente entuziazmin futbollit italian, ndërsa Ancelotti ka lidhje të forta me Maldinin pas sukseseve të përbashkëta te Milani si lojtar dhe më pas në karrierat e tyre. Megjithatë, realizimi i mundshëm i këtyre emrave shihet i vështirë: përveç kostos së lartë financiare që përmban një zgjedhje e tillë, Ancelotti është ende nën kontratë me Federatën Braziliane, edhe pse eliminimi i Brazilit në çerekfinale ka shtuar spekulimet rreth të ardhmes së tij.
Si alternativa të tjera përmenden Antonio Conte dhe Roberto Mancini, të dy ish-trajnerë të kombëtares italiane. Të dy aktualisht janë pa skuadër, çka do ta lehtësonte emërimin e tyre, por duke pasur parasysh aspektet financiare dhe preferencat brenda strukturës drejtuesve, Mancini nuk konsiderohet zgjedhja e preferuar e Maldinit, ndërsa Conte mbetet një opsion i kushtueshëm për federatën.
Stefano Pioli shihet si alternativa më realiste midis emrave në listë. Ish-trajneri i Milanit dhe bashkëpunëtor i afërt i Maldinit gjatë fitimit të titullit në Serie A, pas eksperiencave të tij te Al-Nassr dhe Fiorentina ai paraqitet si një kandidat që mund të rikthejë karrierën përmes drejtimit të kombëtares. Pioli konsiderohet më i përballueshëm financiarisht, por nuk ka të njëjtin ndikim mediatik si Guardiola ose Ancelotti.
Për këtë arsye, presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, preferon një emër me më shumë peshë për të rikthyer entuziazmin te tifozët italianë.

