Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i tha Al Jazeera Arabic se anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Europian nuk është më një prioritet për Ankaranë. Ai vuri në dukje se “Europa nuk e ka pranuar Turqinë prej 53 vitesh dhe nuk duket se po e shqyrton një mundësi të tillë as në të ardhmen e afërt, por ne nuk e kemi mbyllur derën. Ende mendojmë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Nëse na pranojnë, mirë. Nëse nuk na pranojnë, edhe më mirë. Bashkimi Europian nuk është prioriteti ynë.” Erdogan shtoi se, sipas tij, nëse Turqisë i mohohet anëtarësimi, humbësja do të jetë BE-ja dhe jo Turqia.
Deklarata përbën një shëmbëlltyrë ndryshimi krahasuar me qëndrimin e mëparshëm të presidentit. Në qershor 2024, gjatë një takimi me presidentin e Estonisë, Alar Karis, Erdogan e kishte cilësuar anëtarësimin e plotë në BE si “objektiv strategjik” të Turqisë. Partia e tij, AKP, e cila erdhi në pushtet në vitin 2002, e vendosi fillimisht anëtarësimin në BE në qendër të programit të saj politik dhe ndërmori reforma që i hapën rrugën Turqisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit në vitin 2005.
Historia e procesit të anëtarësimit vazhdon të përmendet: Turqia aplikoi për anëtarësim të plotë në vitin 1987 dhe në vitin 1999 mori statusin e vendit kandidat. Megjithatë, negociatat e anëtarësimit kanë mbetur të bllokuara. Në raportin e tij vitin e kaluar, Komisioni Europian përmendi përkeqësimin e standardeve demokratike, pavarësisë së gjyqësorit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore, faktorë që kanë ndikuar në ngërçin e procesit të negociatave.
Teksti burimor publikohet nga Top Channel.

