Rreth 220 filma shqiptarë të prodhuar nga viti 2012 e deri më sot do të shfaqen në Festivalin Kombëtar të Filmit Shqiptar, që nis më 3 shtator në Tiranë dhe do të zgjasë deri më 12 shtator. Programi përfshin filma të gjatë e të shkurtër, dokumentarë dhe animacione, duke ofruar një panoramë të prodhimit kinematografik shqiptar të viteve të fundit.
Drejtori artistik Ilir Butka shprehu se eventi synon rikthimin e filmit shqiptar më pranë publikut, duke krijuar një hapësirë ku veprat e kineastëve vendas të shihen dhe vlerësohen nga audienca. Një ndryshim i rëndësishëm i këtij edicioni është sistemi i ndarjes së çmimeve, i ndërtuar mbi tre shtylla: Juria Zyrtare, Akademia e Filmit dhe vota e publikut. Çdo regjisor do të përzgjedhë një film për konkurrimin zyrtar, ndërsa Akademia dhe publiku do të kenë mundësi të vlerësojnë të gjitha veprat konkurruese.
Festivali do të hapet me nderimin e figurave të rëndësishme të kinemasë shqiptare dhe ndarjen e çmimeve të karrierës për 15 personalitete të filmit. Pas ceremonisë së hapjes do të shfaqet filmi “Liqeni im” me regji të Gjergj Xhuvanit. Në program janë parashikuar edhe disa premiere për publikun shqiptar: “Burri i shtëpisë” i Andamion Muratajt, që do të shfaqet më 4 shtator në sallën e madhe të Universitetit të Arteve pas premierës botërore në Festivalin e Sarajevës; “Edeni i mohuar” i Genc Përmetit; dhe dokumentari “Film di Stato” i Roland Sejkos.
Shfaqjet do të zhvillohen në katër ambiente: sallën e madhe dhe “Black Box”-in e Universitetit të Arteve, kinemanë “Agimi” dhe Piramidën. Gjatë dhjetë ditëve të festivalit do të organizohen edhe takime dhe aktivitete me regjisorë, skenaristë, aktorë, producentë dhe profesionistë të tjerë të kinematografisë, me synimin për të afruar më tej kineastët me publikun dhe për të nxitur diskutimin mbi kinemanë shqiptare.
(Nga Top Channel)

