Interpol Tirana, në bashkëpunim me partnerët britanikë, ka arrestuar në Angli një shtetas shqiptar që ishte në kërkim prej 11 vitesh, i dyshuar për trafik droge në Kosovë. Nga dokumentet e Gjykatës së Ekstradimeve City of Westminster Magistrates’ Court, të siguruara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, rezulton se i arrestuari për qëllime ekstradimi është Gëzim Çela, 37 vjeç.
Sipas dokumenteve gjyqësore, për Çelën është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, pasi akuzohet se më 15 tetor 2015 ka qenë i përfshirë në një bashkëpunim kriminal me Fran Merdhocin, Alfred Mikelin, Arif Çelën dhe Victor Lekgegajn për trafikimin e 49 kilogramëve kanabis drejt Kosovës. Në aktet e paraqitura para gjykatës britanike përmendet sasia e drogës dhe emrat e personave të tjerë që dyshohen të kenë marrë pjesë në këtë ngjarje.
Gëzim Çela do të paraqitet në seancën e radhës për ekstradimin më 4 qershor 2026, në orën 10:00, njofton gjykata. Ndërkohë, Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë ka afat 40 ditësh për të dërguar dosjen përkatëse për procedurat e ekstradimit. Bashkë me dosjen, kërkohet dorëzimi i një garancie të firmosur nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, që vërteton se Çela do të ketë të drejtën e rigjykimit, pasi është dënuar në mungesë.
Gjykata britanike vlerëson se i pandehuri nuk mund të ndjekë procedurat e ekstradimit në liri me kusht, duke u argumentuar se ai akuzohet për një vepër penale të rëndë. Lajmi dhe dokumentet për rastin janë bërë të ditura përmes burimeve të Top Channel dhe materialeve të siguruara nga gazetar Muhamed Veliu.

