Papa Leone XIV, në një videomesazh për pjesëmarrësit e takimit ndërkombëtar “Paqe e paarmatosur dhe çarmatosëse” në Asizi të Italisë, bëri thirrje për paqe, dialog dhe për refuzimin e çdo justifikimi fetar për luftën. Ai theksoi se bota duhet të rindërtojë paqen dhe jo të përgatitet për konflikte të reja, duke deklaruar se “Lufta nuk mund të bëhet kurrë në emër të Zotit” dhe se për besimtarët të luftosh në emër të fesë do të thotë të godasësh vetë fenë. Sipas tij, nuk ka luftë të shenjtë; vetëm paqja është e shenjtë.
Ati i Shenjtë nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të “shpirtit të Asizit”, veçanërisht në kohën e sotme kur mbizotëron kultura e forcës dhe e pushtetit. Ky shpirt mbështetet në refuzimin e legjitimimit fetar të luftës, përparësinë e ndërmjetësimit dhe dialogut, si dhe një angazhim krijues për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore. Papa e përshkroi shpirtin e Asizit si një përvojë soditjeje dhe si një angazhim konkret për paqen.
Ai shtroi se paqja duhet të kthehet në idealin e përbashkët të popujve, “ylli që udhëheq çdo zgjedhje tonën”, kriter që zbulon padrejtësinë dhe horizontin e përbashkët të kombeve. Duke rikujtuar 40-vjetorin e takimit historik të vitit 1986, të organizuar në Asizi nga Papa Gjon Pali II, Papa Leone XIV riktheu vëmendjen te rëndësia e lutjes si rruga e parë drejt paqes. Ai pranoi se lutja mund të duket e dobët përballë fuqive të botës, por e përshkroi atë si “forcën e përulur të besimtarëve” dhe u shpreh se lutjet nuk janë kurrë të kota: “Ne i drejtohemi Zotit që dhuron paqen: le të prekë zemrat e atyre që duan luftën dhe terrorizmin. Dhe të mos e harrojmë: nuk lutemi kurrë më kot!”
Mesazhi i Papës përcjell thirrje për përgjegjësi të përbashkët, për dialog ndërmjet popujve dhe besimeve fetare, dhe për angazhim të vazhdueshëm në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.

