Teksa pritet prezantimi i buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027, projektligjet e Ministrisë së Financave parashikojnë ndryshime të mëdha në taksa që prekin konsumatorët, bizneset dhe të punësuarit. Një ndërhyrje kyçe është ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, nga 20% në 6%, për një listë që përfshin bukën dhe miellin, qumështin dhe kosin natyral, vezët, orizin, makaronat, vajin ushqimor, mishin, peshkun bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqerin dhe ushqimet për foshnja; lista e detajuar do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në të njëjtin artikull parashikohet rritja e TVSH-së për sektorin e akomodimit: norma për hotelet me pesë yje, agroturizmin dhe shërbimet e akomodimit në strukturat turistike propozohet të rritet nga 6% në 10%. Ndërkohë, norma e përgjithshme e TVSH-së parashikohet të rritet në 21% nga 20% aktualisht.
Për bizneset, pragu minimal për regjistrimin në skemën e TVSH-së propozohet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor (rreth nga 100 mijë në 50 mijë euro), ndryshim që sipas relacionit do të përfshijë rreth 17,516 tatimpagues të rinj, të cilët do të duhet të zbatojnë rregullat e TVSH-së.
Ndryshime ka edhe te tatimi mbi pagat: pragu nga i cili zbatohet norma 23% propozohet të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë bruto në muaj; kjo normë do të aplikohet për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë, ndërsa për të ardhurat mbi 700 mijë lekë në muaj propozohet për herë të parë një normë e re prej 32%.
Paketa përfshin gjithashtu ashpërsim të mekanizmave për mbledhjen e detyrimeve tatimore, zgjerim të zbatimit të gjobave për transaksionet me para në dorë dhe rritje graduale të akcizës së duhanit deri në vitin 2033. Nga ana e lehtësimeve për bizneset, parashikohet heqja e detyrimit për dorëzimin e dyfishtë të pasqyrave financiare, ndërsa regjimi i veçantë i TVSH-së për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX, propozohet të zgjatet deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

