Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, Claude Haagen, reagoi mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke theksuar nevojën për ruajtjen e rendit, respektimin e lirive themelore dhe shmangien e përshkallëzimit të situatës. Haagen nënvizon se e drejta për tubime paqësore dhe liria e qytetarëve për të shprehur qëndrimet janë shtylla themelore të një shoqërie demokratike, ndërsa mbrojtja e jetës njerëzore dhe e pronës publike e private mbetet përgjegjësi thelbësore e autoriteteve ligjzbatuese.
Ai shprehu shqetësim të thellë për ngjarjet që shoqërojnë protestat dhe bëri thirrje për përgjegjësi dhe respektim të parimeve demokratike nga të gjitha palët. Përfaqësuesi i OSBE-së thekoi se dhuna nuk mund të zëvendësojë dialogun dhe nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Sipas tij, çdo akt dhune i kryer nga individë pjesëmarrës në protesta, ashtu si edhe çdo përdorim i tepruar i forcës nga autoritetet e rendit, duhet të hetohet dhe të trajtohet në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Haagen i bëri thirrje institucioneve dhe aktorëve politikë që të veprojnë me përgjegjësi, të dënojnë pa ekuivok dhunën dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve. Një pikë tjetër e theksuar është siguria e gazetarëve dhe garantimi i lirisë së medias gjatë raportimit nga protestat. Ai thekson se gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të sigurt për ngjarjet publike, pa u përballur me intimidim, ngacmime apo pengesa të pajustifikuara, duke nënvizuar se një media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për transparencën, llogaridhënien dhe debatin publik të informuar, veçanërisht në periudha të tensioneve politike.
Autoritetet duhet të garantojnë që gazetarët të kryejnë punën e tyre pa presione dhe ndërhyrje, duke respektuar njëkohësisht të drejtën e qytetarëve për tubime paqësore. Në përfundim, Haagen u bëri thirrje qeverisë, opozitës, organizatave të shoqërisë civile, studentëve dhe qytetarëve të angazhohen në dialog konstruktiv për gjetjen e zgjidhjeve në interes të gjithë shqiptarëve, duke vendosur sundimin e ligjit, respektimin e lirive themelore dhe dialogun mbi përplasjet.

