Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asocim Shqipëri-Bashkimi Evropian nuk arriti të dalë me një rezolutë të përbashkët në mbledhjen e zhvilluar sot në Strasburg, pasi deputetët demokratë nuk dhanë votën e tyre pro draftit përfundtar. Drafti u votua nga deputetët e Partisë Socialiste dhe eurodeputetët, por mungesa e përkrahjes nga opozita çoi në pamundësinë për të miratuar një tekst të përbashkët.
Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj votës kundër të opozitës përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se “të gjithë eurodeputetët, madje edhe dikush që erdhi dhe protestoi në Shqipëri, votuan për Shqipërinë së bashku me deputetët e Partisë Socialiste. Sepse Shqipëria nuk ndalon. Ndërsa deputetët e pakicës në Shqipëri votuan kundër dhe u larguan për të shkuar në protestë. Sepse Partia Socialiste nuk ndalet”.
Tekstit të dokumentit, të propozuar nga Sekretariati i Komitetit Parlamentar, iu bashkëngjitën gjithashtu Rezoluta e Parlamentit Europian dhe Rezoluta e miratuar nga Parlamenti shqiptar lidhur me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas socialistëve, këto dokumente të bashkangjitura ishin të mjaftueshme, prandaj ata nuk parashtruan amendamente ndaj draftit.
Në përfundim të mbledhjes, mungesa e një konsensusi midis palëve politike brenda komitetit rezultoi në pamundësinë për të nxjerrë një qëndrim të përbashkët për çështjet e përfshira në agjendë. Ndërhyrjet e palëve dhe vendimet për votim shpërfaqën ndarjet politike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ndërsa dokumentet e referuara nga Sekretariati dhe rezolutat e dy parlamenteve mbetën si bazë e draftit të diskutuar.

