Policia greke prej 48 orësh mban sekret emrat e personave të arrestuar në kuadër të operacionit “Lulet e së keqes”, të zhvilluar së bashku me DEA amerikane, për goditjen e një grupi kriminal shqiptar të dyshuar për trafikim kokainë nga Kolumbia. Në operacion u sekuestruan 84 kg kokainë dhe u arrestuan shtatë persona, shumica shqiptarë; mes tyre është një i kërkuar nga Interpol Tirana për vrasje dhe një tjetër që dyshohet të ketë lidhje me rrjete narkotrafiku në Kolumbi. Burime konfidenciale bëjnë me dije se një prej të arrestuarve njihet në qarqet e biznesit në Shqipëri, raporton korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe.
Importuesi i dërgesave me trëndafila rezultoi të jetë një kompani e themeluar në 2023, pa seli apo staf real, dhe me aktivitet të deklaruar që nuk lidhej me tregtinë e luleve. AADE shqyrtoi historikun e importeve dhe zbuloi se gjatë tetë muajve të fundit kompania kishte bërë shtatë dërgesa trëndafilash nga Kolumbia drejt Greqisë. Hetuesit vlerësojnë se një ose dy dërgesat e para mund të kenë qenë testuese, ndërsa për importet pasuese besohet se droga ishte vendosur brenda dërgesave të luleve.
Autorët përdorën një rrugë ndërmjetëse nëpërmjet Kanadasë për të shmangur sistemet e analizës së riskut: dërgesat shkuan fillimisht në Kanada, ku u lëshuan dokumente të reja transporti me një kompani kanadeze si dërguese dhe një luleshites në Artemida si marrëse. Hetimi dyshon se dyqani i lules ishte virtual, ndërsa hapësira ku biznesi dukej se operonte u mor me qira pak ditë para mbërritjes së ngarkesave.
Ngarkesa përmbante 80 kuti; çdo buqetë prej 40 trëndafilash kishte rreth 11 lule të modifikuara. Metoda konsistonte në ruajtjen e kokëzës natyrale dhe zëvendësimin e kërcellit me plastikë ku vendosej kokaina, çka e bënte të vështirë zbulimin në kontrolle standarde. Autoritetet vërejnë se kjo praktikë nuk është krejt e re, me raste të ngjashme të regjistruara më parë në Amsterdam (2023) dhe St. Petersburg (2018).
Në operacion morën pjesë forcat speciale EKAM dhe Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar e Policisë Helenike. Dosja përfshin nëntë persona, shtatë u arrestuan. Shumica e arrestimeve u kryen në dyqanin e dyshuar të luleve në Loutsa; disa anëtarë kryesorë u gjetën në një vilë me qira në Marathon, ku u sekuestrua edhe sasi kokainë dhe mbetje të kërcejve plastikë. Mbrojtjen e katër prej gjashtë të arrestuarve e ka marrë kriminologu Sakis Kechagioglou; Manolis Vamvounakis është gjithashtu avokat mbrojtës.

