Një operacion i përbashkët i Policisë Kombëtare të Ekuadorit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Europol çoi në arrestimin e 18 personave, të dyshuar për pjesëmarrje në një rrjet ndërkombëtar trafiku kokainë. Operacioni i koduar “Gran Fénix 0043-Azkaban”, i zhvilluar më 8 korrik, çmontoi një organizatë që dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 tonë kokainë, me vlerë të përllogaritur prej 225 milionë dollarësh në tregun e paligjshëm.
Mes të arrestuarve është shtetasi shqiptar P. D., që autoritetet pretendojnë se vepronte si koordinator dhe përfaqësues i organizatave kriminale evropiane në Ekuador. Hetimet e autoriteteve tregojnë se ai dyshohet se ndërmjetësonte bashkëpunimin mes grupeve kriminale të Amerikës së Jugut dhe rrjeteve të trafikut në Evropë, duke koordinuar dërgesat e kokainës. Ndër të arrestuarit është edhe shtetasi polak Jakimec Tomasz, për të cilin ishte lëshuar më parë një njoftim i kuq nga Interpol; autoritetet thonë se ai dyshohet të ketë ngritur kompani fasadë për të fshehur ngarkesat e drogës të transportuara me rrugë detare.
Hetimet tregojnë se organizata ka vepruar të paktën që nga viti 2019 dhe kishte lidhje me grupe të armatosura në Kolumbi dhe organizata kriminale në Ekuador. Sipas autoriteteve, kokaina transportohej nga zonat kufitare drejt provincave Esmeraldas, Guayas, Azuay dhe El Oro, ku përgatitej për t’u dërguar në Evropë. Lënda narkotike fshihej në kontejnerë me mallra të ligjshme, përfshirë banane, kafe, produkte deti dhe dru.
Destinacionet e dyshuara të ngarkesave ishin Holanda, Belgjika, Gjermania, Italia, Danimarka dhe Polonia. Gjatë operacionit u arrestuan edhe 16 shtetas ekuadorianë, të dyshuar për role në transportin, magazinimin dhe sigurimin e aktivitetit të organizatës. Autoritetet sekuestruan telefona celularë dhe pajisje elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës si pjesë e hetimeve.
Të gjithë të arrestuarit janë vënë në dispozicion të drejtësisë, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen e plotë të aktivitetit të rrjetit kriminal.

