Shërbimi onkologjik po afrohet më shumë me pacientët pas rikualifikimit të njësisë së kimioterapisë ditore në Spitalin Rajonal të Korçës, e rikonstruktuar dhe e pajisur sipas standardeve bashkëkohore. Rreth 300 pacientë të qarkut të Korçës që marrin trajtim kimioterapeutik do të mund të kryejnë terapitë pranë vendbanimit të tyre, në një mjedis të sigurt dhe të përshtatur për nevojat e tyre.
Gjatë vizitës në njësinë e re, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, theksoi se decentralizimi i shërbimeve onkologjike është një nga drejtimet kryesore të transformimit të kujdesit ndaj pacientëve me kancer. “Nuk mund të flasim për një sistem shëndetësor cilësor nëse një pacient me kancer duhet të udhëtojë qindra kilometra për të marrë trajtimin që i nevojitet. Objektivi ynë është që shërbimi të shkojë pranë pacientit dhe jo pacienti të udhëtojë për shërbimin. Korça është një hap konkret në këtë drejtim: standarde më të mira, kushte më të sigurta dhe kujdes më pranë qytetarëve.”
Njësia e re u realizua në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë dhe shoqatës amerikane Albania Fighting Cancer, duke mundësuar rikonstruksionin dhe krijimin e një mjedisi bashkëkohor për administrimin e trajtimeve kimioterapeutike. Korça shërben si pjesë e një transformimi më të gjerë: Ministria po vijon modernizimin e tetë pikave të tjera rajonale të kimioterapisë, me synimin që shërbimet të ofrohen pranë vendbanimeve dhe me standarde të njëjta në të gjithë vendin.
Kjo qasje do të mbështetet nga Rrjeti Kombëtar i Onkologjisë dhe Instituti Kombëtar i Tumoreve, të cilët synojnë krijimin e një modeli të integruar të kujdesit onkologjik për të lidhur shërbimet rajonale me qendrën universitare dhe për të garantuar koordinim më të mirë të diagnostikimit, trajtimit dhe ndjekjes së pacientëve. “Ne po ndërtojmë një sistem ku nuk ka rëndësi nëse pacienti jeton në Korçë, Shkodër, Vlorë apo Tiranë. Standardi i kujdesit duhet të jetë i njëjtë. Instituti Kombëtar i Tumoreve dhe Rrjeti Kombëtar i Onkologjisë do të na mundësojnë pikërisht këtë: një sistem të integruar, ku ekspertiza, protokollet dhe teknologjia lidhen me njëra-tjetrën dhe ku pacienti është në qendër të çdo vendimmarrjeje.”
Përveç kimioterapisë, Spitali i Korçës po forcon kapacitetet diagnostikuese: shërbimi i radiologjisë është pajisur me teknologji moderne dhe së shpejti do të instalohet sistemi RIS/PACS, për menaxhim dhe akses më efikas të informacionit radiologjik dhe diagnostikim më të shpejtë e të koordinuar. Investimet në Korçë dhe pikat rajonale janë pjesë e vizionit të Ministrisë për një rrjet kombëtar të integruar të kujdesit onkologjik.

