Valët e njëpasnjëshme të të nxehtit në Evropë kanë shkaktuar rreth 35,000 vdekje shtesë, sipas të dhënave nga pjesa dërrmuese e kontinentit. Vetëm në tre shtetet më të mëdha — Gjermani, Spanjë dhe Francë — vdekjet shtesë kaluan 25,000 persona. Ekspertët presin që numri i viktimave të rritet ndjeshëm pasi të përpunohen dhe konsolidohen shifrat për muajin gusht.
Që nga maji, Evropës Perëndimore i janë ndjekur valë të shumta nxehtësie që kanë thyer rekorde historike të temperaturave në qindra stacione meteorologjike. Franca regjistroi ditën me temperaturën mesatare kombëtare më të lartë ndonjëherë. Në fund të qershorit, në Gjermani u thyen rekorde për tri ditë radhazi, kur 46 stacione regjistruan temperatura mbi 40°C. Në Spanjë u përjetuan temperatura të larta të vazhdueshme mbi 42°C.
Shkencëtarët lidhin këto ngjarje ekstreme me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, që i bën valët e nxehtit më të shpeshta dhe më intensive. Në vijim të shqetësimeve klimatike, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi për afrimin e një Super El Niño, duke theksuar: “Po merr përmasa gjigante. Shkenca nuk lë vend për dyshime: planeti po hyn në territory të pashkelur ndonjëherë më parë. Temperaturat vazhdojnë të rriten dhe bota ndodhet në zonën e rrezikut për shkak të kushteve ekstreme të motit.”
Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) shpjegon se fenomeni ciklik El Niño nis me ngrohjen e ujërave sipërfaqësore të Oqeanit Paqësor ekuatorial, përballë brigjeve të Amerikës së Jugut, dhe më pas ndikon në ndryshime klimatike në pjesë të mëdha të globit. Sipas WMO-së, ky fenomen pritet të jetë shumë intensiv dhe, me një probabilitet që i afrohet 100 për qind, do të vazhdojë deri në muajin shkurt.

