Me 82 vota kundër të mazhorancës dhe 27 vota pro të opozitës, në seancën e së enjtes në Kuvend u rrëzua kërkesa e Partisë Demokratike për shtyrje me tre muaj të afatit të Komisionit të Reformës Territoriale. Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, deklaroi se me kryeministrin Edi Rama nuk ekziston reforma dhe akuzoi atë se po vepron për të nxitur një konfrontim.
Berisha tha se opozita mbajti parlamentin pesë orë, duke diskutuar dy çështje kryesore: reformën territoriale dhe kërkesat e protestuesve jashtë parlamentit. Ai theksoi se deputetët e asaj që e quajti “pseudomazhorancë” nuk përfaqësojnë qytetarët, por interesat financiare të qindra miliona eurove, sipas tij të përdorura për të ndikuar vullnetin e zgjedhësve. Për këtë arsye PD kërkoi shpërndarjen e parlamentit dhe përfundimin e punimeve të tij ditën e enjte.
Sipas Berishës, qindra qytetarë nga e gjithë Shqipëria i kërkuan PD-së të merrte pjesë në komisionin e reformës territoriale për të mbrojtur interesat e tyre. Ai nënvizoi se PD e përkrahu këtë kërkesë, duke emëruar Luciano Boçin në krye të komisionit, dhe se deputetët e PD-së bashkëpunuan me ekspertë për të përgatitur një projekt të reformës së ardhshme. Ky projekt, sipas tij, nuk parashikonte zvogëlim të bashkive nga 60, por përkundrazi dyfishim të numrit të tyre, si dhe shtimin e dhjetëra komunave në territore ku ndryshimet demografike lejojnë ngritjen e tyre.
Berisha deklaroi se pas konsultimeve të gjera bipartizane, qytetarët e të gjithë spektrit politik, sipas tij, demaskuan reformën e mëparshme të Edi Ramës. Ai akuzoi kryeministrin se mbylli punimet e komisionit, u tërhoq dhe votoi në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme raportin e Maznikut, raport i cili, sipas tij, nuk ishte paraqitur në komision. Përfundimisht, Berisha i ftoi qytetarët që të mos lënë reformën në duart e Edi Ramës dhe t’u bashkohen, siç tha, kryengritjeve popullore në Tiranë deri në largimin e tij. Top Channel.

