Ish-Zonja e Parë Jill Biden ka thënë se kishte frikë se bashkëshorti i saj, ish-presidenti Joe Biden, po pësonte një goditje në tru gjatë debatit vendimtar televiziv të qershorit 2024 me Donald Trump, një ngjarje që më pas solli tërheqjen e tij nga gara presidenciale. Në një fragment nga një intervistë të transmetuar nga CBS, që pritet të shfaqet e plotë të dielën, ajo përshkruan sesi e pa Bidenin të luftonte për t’u përgjigjur gjatë debatit 90-minutësh në Atlanta. “Isha e tmerruar, sepse nuk e kisha parë kurrë kështu më parë. Ndërsa e shikoja, mendova, ‘O Zot i madh, po pëson goditje në tru’. Dhe isha shumë e frikësuar,” tha ajo.
Debati shkaktoi shqetësim të gjerë në kampin demokrat, pasi presidenti i atëhershëm 81-vjeçar dukej i ngjirur, ndalonte, i ngatërronte fjalët dhe nganjëherë ishte i vështirë për t’u kuptuar ose i paqëndrueshëm. Në një moment të përfolur, Biden u përpoq të sulmonte politikat e Trump mbi uljen e taksave dhe borxhin kombëtar, por përfundoi duke deklaruar: “Më në fund e mundëm Medicare-in.” Stafi i tij më vonë sqaroi se ai nënkuptonte që administrata e tij kishte “mundur industrinë farmaceutike”, por gabimi verbal forcoi shqetësimet mbi gjendjen e tij mendore dhe fizike.
Gjatë debatit, Biden shmangu një pyetje në lidhje me të drejtat riprodhuese dhe iu referua grave të vrara nga emigrantët, duke përforcuar tema që ishin pjesë e retorikës republikane. Trump komentoi me tallje një nga përgjigjet e kundërshtarit, duke thënë: “Unë me të vërtetë nuk e di se çfarë tha në fund të asaj fjalie. Nuk mendoj se as ai e di se çfarë tha”.
Performanca në debat solli presion të fortë nga zyrtarët demokratë dhe donatorët për t’u larguar nga gara. Më pas, Biden njoftoi tërheqjen dhe mbështeti zëvendëspresidenten Kamala Harris, e cila kishte 107 ditë për të organizuar fushatën e saj para zgjedhjeve të nëntorit 2024. Pavarësisht reagimeve negative, Jill Biden e mbrojti publikisht bashkëshortin në një tubim fushate disa ditë më vonë: “Joe, bëre një punë të shkëlqyer. U përgjigje çdo pyetjeje. I dije të gjitha faktet.” Javën tjetër, ajo pritet të publikojë librin “Pamje nga Krahu Lindor”, ku përshkruan periudhën e fushatës së vitit 2024 dhe vendimin e Joe Biden për t’u tërhequr.

