Serie A ka përforcuar për herë tjetër emrin Robinho me ardhjen e Robinho jr, djalit të ish-sulmuesit të Milanit dhe Realit të Madridit. Sulmuesi 18-vjeçar u transferua në ditën e fundit të merkatos te Genoa e drejtuar nga Daniele De Rossi, duke nisur kështu aventurën e tij të parë jashtë Brazilit; ai kishte debutuar në skuadrën e parë të Santosit para vetëm dy vitesh.
Marrëveshja mes klubesh është huazim me opsion blerjeje, ku Genoa mund ta blejë lojtarin për 8 milionë euro. Santosi do të mbajë të drejtën për të përfituar 10% të të ardhurave nga të drejtat ekonomike të lojtarit. Kontrata përfshin gjithashtu një bonus prej 2 milionë eurosh që do t’i paguhet në rast se Robinho jr grumbullohet me kombëtaren U20 ose me përfaqësuesen e madhe, si e Brazilit ashtu edhe e Italisë.
Sipas medias italiane, lojtari nuk e përjashton mundësinë e veshjes së fanellës së “Të Kaltrit” në rast se merr një thirrje nga 4 herë kampionët e botës. Para zgjedhjes për t’u transferuar në Itali, emri i tij ishte lakuar si opsion për ekipe të ndryshme spanjolle dhe angleze, sidomos klube të niveleve të Championship në Angli. Megjithatë, në përfundim ai vendosi të vazhdojë karrierën në Serinë A, duke ndjekur një rrugë të ngjashme me atë që ndoqi babai i tij para më shumë se 12 vitesh, kur la Manchester City për t’u transferuar te Milani.
Transferimi te Genoa shënon hapin e parë të Robinho jr në futbollin evropian dhe përfaqëson një mundësi për të provuar veten në nivelin e kampionatit italian. Klauzolat financiare dhe kushtet e grumbullimeve kombëtare të përcaktuara në marrëveshje tregojnë interesin e të dy klubeve për të monitoruar zhvillimin e karrierës së tij dhe përfitimet që mund të lindin nga një kalim i suksesshëm në Europë.

