Në emisionin “Në Shënjestër” në News24, u publikuan gjetjet e grupit hetimor në lidhje me makinën tip Seat ngjyrë të bardhë që u përdor në ekzekutimin e Ermir Dedjas, mëngjesin e datës 20 Maj në lagjen nr 18 në Durrës.
Një makinë gjeneralitetet e së cilës ishin vjedhur një shtetasi me banim në një fshat të Tiranës,Vetëm 6 muaj përpara se krimi të konsumohej në qytetin e Durrësit.
Targat e makinës që ishin raportuar të vjedhura nga një automjet tip Ford Fusion.
“Pas kërkimeve të thelluara të kryera rezultoi se automjeti i gjetur i djegur në fshatin Gërdec në Vorë, tip Seat me targa AB 815 AC, pas verifikimeve në sistemin E-Gjoba del se kjo targë nuk i përket kësaj makine.
Por një automjeti të markës Ford Fusion në pronësi të shtetasi H. G, banues në Tiranë.
Shtetas që i ka raportuar të vjedhura këto targa në datën 10 Dhjetor 2024. Të cilët në po të njëjtën datë janë shpallur në kërkim nga policia”, thuhet në dosjen hetimore.
Të gjendur përballë një fakti të tilla, të gjitha kërkimet e grupit hetues u ndalën te shasia e automjetit të djegur. E vetmja e cila ishte ende e identifikueshme nga e gjithë pjesa e mbetur e shkrumbuar e makinës.
Për këtë arsye autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri kërkuan ndihmën e partnerëve të tyre të Interpolit, për të ditur se kujt i përket kjo shasi makine, e përdorur në krimin e vrasjes së Ermir Dedjas.
Kërkimet që u ndalën në Itali. Aty nga ku rezultoi se ky automjet ishte shpallur i vjedhur dhe mbante targa të tjera, para se të gjendej në Shqipëri, në një skenë krimi.
Ajo që përbën habi është se makina rezulton e vjedhur në Itali, disa muaj pasi targat e saj të fundit i vodhën në Shqipëri.
Çka të lë të dyshosh edhe për mënyrën dhe kohën se si grupet kriminale veprojnë dhe organizohen në qëllimet e tyre siç ishte në këtë rast edhe ekzekutimi i Ermir Dedjas.
Në bazë të kërkimeve të kryera rezulton se automjeti tip Seat i përdorur në vrasjen e shtetasit Ermir Dedjas, është shpallur i vjedhur në shtetin italian dhe ka mbajtur targat GM 422 HX.
Por ndërsa makina rezultonte e vjedhur në Itali, në muajin shkurt të vitit 2025, ky automjet, bashkë me një të dytë, shfaqet në Shqipëri.
Ku shoqërues të mjetit janë një shtetase rumune dhe një shtetas maroken.
Të cilët zgjedhin të vijnë bashkë me makinat nëpërmjet linjës detare Bari-Durrës.
Dhe pasi kanë dorëzuar automjetet te shtetasi shqiptar Erjon Ndoni, vetëm një ditë më pas më datë 9 Shkurt 2025 janë larguar me avion drejt Ankonës në Itali.
“Nga verifikimet e kryera rezulton se mjeti me targa GM 424 HX ka hyrë në Shqipëri më datë 8 Shkurt 2025, nga shtetasja rumune C. L.
Ndërsa mjeti tjetër GM 422 HX, është futur në të po të njëjtën datë nga shtetasi maroken M. D. Dhe mjetet sipas autoriteteve italiane janë nisur për në Shqipëri në bazë të kërkesës së bërë nga shtetasi Ervin Ndoni, banues në Rrashbull në Durrës”, thuhet në dosjen hetimore.
Do të ishte kjo edhe pikënisja e rrëfimeve pëpara oficerëve të policisë gjyqësore.