Kompania e lidhur me investimet e parapara të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, tha për Radion Evropa e Lirë se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”. Kjo përgjigje erdhi pasi REL-i iu drejtua kompanisë së lidhur me Kushnerin, Affinity Partners, pas protestave disaditore në Shqipëri kundër një projekti turistik në Zvërnec, pranë Vlorës.
Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC, tha për Radion Evropa e Lirë se “fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale” dhe se janë “të entuziazmuar për mundësinë për të krijuar një destinacion të klasit botëror dhe për të realizuar një nga investimet më të mëdha private në historinë e rajonit”.
Protestat në Zvërnec kundër punimeve për projektin në zonën Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, nisën javën e kaluar. Zona është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Demonstratat vazhduan edhe në kryeqytetin Tiranë, ku protestuesit kërkuan anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Banorë të zonës, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis, pronësinë e tokës dhe transparencën e investimit. Organizata për mbrojtjen e mjedisit kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve përmes një peticioni online.
Kryeministri Rama ka mbrojtur projektin dhe ka deklaruar se ai nuk do të ndalet për sa kohë është kryeministër. Ai tha po ashtu se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka bllokuar një transaksion prone të lidhur me projektin; SPAK-u nuk e ka konfirmuar publikisht bllokimin e ndonjë transaksioni. Më 1 qershor SPAK konfirmoi nisjen e një hetimi lidhur me Zvërnecin, pa dhënë hollësi se çfarë po hetohet saktësisht.
Projekti ka marrë vëmendje edhe për shkak të deklarimeve të mëhershme të Kushnerit; në mars 2024 ai tha se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit. Kompania e Kushnerit mori statusin e investitorit strategjik në dhjetor 2024 për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, vendim i marrë nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Rama. Sa i përket Zvërnecit, Rama tha se Kushner “nuk ka bërë kërkesë për të qenë investitor strategjik”.

