Një barakë që shërbente si magazinë u përfshi nga flakët pasditen e kësaj të premte në fshatin Lepurakë, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë të Bashkisë Bulqizë. Zjarri mori përmasa të mëdha dhe rrezikoi seriozisht dy banesa që ndodheshin pranë magazinës, duke vënë në alarm banorët e zonës. Në fazën fillestare, familjarët dhe banorët tentuan ta neutralizonin zjarrin me mjete rrethanore, por për shkak të intensitetit të flakëve u detyruan të kërkojnë ndihmën e shërbimit zjarrfikës dhe të Policisë.
Forcat zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje dhe ndërhynë për të izoluar flakët. Pas ndërhyrjes së tyre u bë e mundur parandalimi i përhapjes së zjarrit drejt dy banesave të rrezikuara, duke evituar dëmtime më të mëdha të strukturave përreth. Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, pas ndërhyrjes së zjarrfikësve situata u stabilizua dhe zjarri u vuri nën kontroll, ndërsa punimet për fikjen e plotë dhe sigurimin e zonës vazhduan.
Korrespondenti i Top Channel, Dëfrim Karaj, njofton se nga zjarri fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar; dëmet janë materiale. Policia e Bulqizës ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe po grumbullon të dhëna nga vendngjarja dhe dëshmitarë të mundshëm. Sipas të dhënave paraprake të hetuesve, ekziston dyshimi që flakët mund të kenë nisur si pasojë e një defekti në rrjetin elektrik. Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e një pakujdesie njerëzore gjatë punës në ambientet e magazinës si një tjetër shkak të mundshëm.
Hetimet për përcaktimin e shkakut të saktë të zjarrit vazhdojnë dhe autoritetet lokale po vijojnë me vlerësimin e dëmeve materiale dhe sigurinë e zonës për të shmangur incidente të ngjashme në të ardhmen. Top Channel.

