Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, prezantoi masat e marra një ditë përpara nisjes së vitit shkollor 2026-2027, duke theksuar nevojën që planet të mos mbeten vetëm në letër, por të kontrollohen dhe të zbatohen në terren. Ai përcaktoi se në krye të shërbimeve të angazhuara për sigurinë në shkolla do të jenë shefat e komisariateve, me përgjegjësi të drejtpërdrejta për organizimin, koordinimin dhe kontrollin në territor, ndërsa përgjegjësitë për çdo drejtues vendor të Policisë do të jenë konkrete dhe të qarta.
Hita tha se ka udhëzuar specialistët e sektorëve kundër narkotikëve dhe atyre operacionalë në të 12 drejtoritë vendore të Policisë të organizojnë kontrolle me intensitet të lartë brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, me fokus identifikimin dhe ndalimin, me forcën e ligjit, të çdo elementi kriminal që tenton t’u afrohet institucioneve arsimore, të përfshijë nxënësit në veprimtari kriminale, veçanërisht në fushën e narkotikëve, apo t’u shesë sende të tjera të kundërligjshme.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë rrugore pranë shkollave, për mbrojtjen e fëmijëve gjatë lëvizjes në fillim dhe mbarim të orarit mësimor dhe gjatë pushimeve të gjata. Në përpjekjet për garantimin e mbarëvajtjes së vitit të ri shkollor, policia ngriti gjithashtu rolin e ndërgjegjësimit: strukturat e Policimit në Komunitet, të Dhunës në Familje, të Krimeve Kibernetike dhe të Policisë Rrugore do të jenë të pranishme në shkolla me orë ndërgjegjësuese për rreziqet e bullizmit, dhunës psikologjike, hapësirës digjitale, sigurisë rrugore dhe për reduktimin e përdorimit të drogës, duhanit dhe alkoolit.
Si pjesë e paketës së sigurisë, Policia po bashkëpunon intensivisht me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të garantuar sigurinë e produkteve ushqimore në bizneset pranë shkollave. Do të zhvillohen kontrolle periodike për të verifikuar formalitetin e aktivitetit, përbërjen dhe skadencën e produkteve, si dhe kushtet higjieno-sanitare të tyre. Hita nënvizoi rolin e oficerëve të sigurisë në shkolla, mësuesve dhe psikologëve si urë lidhëse për evidentimin në kohë të problematikave. Në kuadër të projektit Smart City, në 20 shkolla janë vendosur kamera inteligjente që rrisin kapacitetet për monitorim, parandalim, evidentim më të shpejtë dhe reagim më efikas.

