Partitë politike në Kosovë nisën zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi tubimin hapës në Ferizaj, ku kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, premtoi vazhdimin e angazhimeve të partisë dhe iu përgjigj kritikat e opozitës duke thënë se sulmet ndaj tyre janë shenja të realizimit të zotimeve të dhëna. “Krejt çfarë bëjmë ne është përmbushje e zotimeve tona. Pra, të gjitha britmat e piskamat që i dëgjoni nga akuzat e sulmet kundër neve, janë veçse realizim i zotimeve tona,” u cituan fjalët e Kurtit në tubim.
Partia Demokratike e Kosovës po ashtu e nisi fushatën nga Ferizaj, ku kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza, akuzoi Kurtin si shkaktar të krizave dhe tha se vendi është i lodhur nga konflikti politik. Hamza theksoi nevojën për punë dhe stabilitet, duke thënë se “Kosova nuk ka më kohë për drama politike.”
Në kryeqytet, Lidhja Demokratike e Kosovës hapi fushatën si e vetmja parti me kandidat për president dhe për kryeministër. Vjosa Osmani, e propozuar si kandidate për presidente nga LDK, tha se ka ardhur koha për t’u larguar nga “politika e lodhjes kolektive,” ndërsa kryetari në fushatë, Lumir Abdixhiku, prezantoi ofertën për elektoratin dhe vuri në dukje kontrastet e vendit: një republikë me njerëz të jashtëzakonshëm por e lodhur nga “politika e vogël e një mendjeje të vogël.”
Aleanca garon me Ardian Gjini si kandidat për kryeministër. Ramush Haradinaj, në cilësinë e kryetarit të deritanishëm të partisë, e përkrahë Gjinin si personin e duhur për këtë detyrë. Gjini, duke kritikuar partinë që ka qeverisur deri tani, tha se ajo “nuk dinë se çka dojnë me bo, se nuk janë tu dashtë me i fitu zgjedhjet për me bo diçka, por veç me i fitu zgjedhjet.”
Kosova do të mbajë zgjedhjet parlamentare të parakohshme më 7 qershor pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

