Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë ku u prit nga homologu i tij grek, Nikitas Kaklamanis. Gjatë takimit, të dy kryetarët vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Greqisë, të mbështetura në interesa strategjike të përbashkëta, partneritetin në NATO dhe perspektivën e përbashkët europiane. Ata nënvizuan nevojën për thellimin e dialogut politik dhe parlamentar në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke vlerësuar progresin në negociatat me Bashkimin Europian dhe ritheksoi objektivin e përfundimit të tyre brenda vitit 2027. Kryeparlamentari grek rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe theksoi se zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar krijon mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi ekonomik: u evidentua rritja e shkëmbimeve tregtare, e investimeve, e projekteve infrastrukturore dhe e fluksit turistik, faktorë që sipas pjesëmarrësve dëshmojnë potencialin për thellim më të madh të bashkëpunimit ekonomik. Një vëmendje e veçantë iu kushtua komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri, të cilët u përshkruan si ura lidhëse mes dy vendeve dhe popujve. Siç u shpreh Peleshi: “Dy urat më të rëndësishme që lidhin vendet tona janë minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi, mbi këto vlera duam të ndërtojmë më shumë prosperitet dhe bashkëpunim mes dy vendeve tona”.
Të dy pala theksuan rëndësinë e trajtimit me dialog dhe frymë konstruktive të çështjeve me interes të ndërsjellë, në respekt të parimeve të fqinjësisë së mirë, të së drejtës ndërkombëtare dhe të interesave strategjike të përbashkëta. Duke riafirmuar vullnetin për forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik, ata vlerësuan bashkëpunimin parlamentar si mjet për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh, përforcimin e sigurisë, stabilitetit rajonal dhe promovimin e paqes.

