Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri kinez Xi Jinping përfunduan më 14 maj në Pekin një bisedë kokë më kokë mbi dy orë, duke shfaqur optimizëm për stabilizimin e raporteve megjithë mosmarrëveshjet e mëdha për Tajvanin, tregtinë dhe luftën në Iran. Takimi ishte i pari ballë për ballë mes tyre që nga takimi në Korenë e Jugut në tetor 2025; Trump pritet të marrë pjesë në një banket shtetëror pas një vizite në Tempullin e Parajsës. Xi u bëri thirrje dy ekonomive të mëdha të jenë “partnerë dhe jo kundërshtarë”, ndërsa Trump e quajti Kinën “mik” dhe deklaroi se “raportet mes Kinës dhe SHBA-së do të jetë më e mirë se kurrë më parë”.
Megjithatë, bisedimet nxorën në pah brishtësinë e marrëdhënieve për shkak të mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, teknologjinë, Tajvanin dhe pasojat globale të luftës në Iran. Daniel Russel tha se “Trumpi kërkon stabilitet përpara zgjedhjeve të mesmandatit dhe në kohën kur SHBA-ja mbetet e përfshirë në konfliktin me Iranin”, ndërsa sipas tij Pekini dëshiron një mjedis të jashtëm të qëndrueshëm. Russel paralajmëroi se “trajektorja afatgjatë mbetet rivalitet strategjik” dhe se “shumica e rezultateve do të jenë të kufizuara, transaksionale dhe potencialisht të kthyeshme”.
Tajvani ishte një pikë kyçe: Xinhua njoftoi se Xi paralajmëroi se menaxhimi i gabuar i çështjes mund të çojë në konfrontim të drejtëpërdrejtë dhe se “Nëse menaxhohet si duhet, dy vendet mund të ruajnë stabilitetin” por “Nëse menaxhohet keq, dy vendet do të përplasen ose madje do të hyjnë në konflikt, duke e vënë të gjithë marrëdhënien SHBA-Kinë në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme”. Administrata e Trumpit raportohet se shtyu njoftimin për Kongresin mbi një paketë armësh 13 miliardë dollarë për Tajvanin përpara samitit.
Në fushën ekonomike Kina miratoi licenca eksporti për disa qindra thertore amerikane për të rifilluar dërgesat e mishit të viçit, një gjest modest para negociatave për tarifa, kontrolle eksporte dhe zinxhirët e furnizimit. Xi tha se Kina “do të hapet më shumë” për kompanitë amerikane, pa dhënë zotime formale. Mineralet e rralla tokësore dhe një grup prej 17 mineralesh mbeten instrument kyç negociues për Kinën.
Lufta në Iran dhe ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit shtuan presion: Uashingtoni kërkoi nga Pekini të përdorë lidhjet me Teheranin për të nxitur një marrëveshje më të gjerë paqeje, ndërsa Trump minimizoi nevojën për ndihmën e Kinës. Zyrtarë thanë se asnjë vend nuk duhet të vendosë “tarifë” për lundrim në Hormuz. Presidenti u shoqërua nga drejtues biznesesh të mëdha amerikane, përfshirë Elon Musk, Jensen Huang dhe Tim Cook. /REL

