Transferimi i sulmuesit dardan Vedat Muriqi te Lazio për 17.5 milionë euro është objekt i një investigimi të emisionit italian “Report” në Rai3. Hetimi përqendrohet në atë që televizioni përshkruan si një “lidhje shqiptare”, një rrjet personash shqiptarë që dyshohet se kanë luajtur role kyçe në prapaskenat e kësaj blerjeje, e cila në aspektin sportiv konsiderohet si një dështim.
Në qendër të kritikave është drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare. Investigimi ngre dyshime për konflikt interesi, duke sjellë në fokus përfshirjen e vëllait të tij, Genti Tare, i cili shërben si konsull i Shqipërisë në Stamboll — qytetin ku Muriqi luante me Fenerbahçen. Emisioni dhe burime të lidhura me hetimin theksojnë prezencën e faktorëve shqiptarë si element përcaktues në mbylljen e marrëveshjes.
Agjenti italian Vincenzo Morabito, i intervistuar nga “Report”, vuri në dukje rëndësinë e këtyre lidhjeve dhe kritikoi vlerën e pagesës për lojtarin: “Tare ka një vëlla i cili është konsull shqiptar në Stamboll, dhe papritmas ju paguani 18 milionë euro për një lojtar që është skandaloz. Trajneri Simone Inzaghi ka vënë duart në kokë për këtë blerje. Të shpenzosh aq shumë para për një lojtar të tillë, për Lazion është një çmenduri,” – u shpreh Morabito.
Hetimi i Rai3 evidenton gjithashtu praninë e aktorëve të tjerë gjatë negociatave dhe festimeve lidhur me transferimin: përveç agjentëve si vëllezërit Giuffrida dhe avokatit të lojtarit, si ndërmjetës u përmend edhe një tjetër shqiptar, Shkumbin Qormemeti. Mediat italiane e përshkruajnë Qormemetin si një agjent me pak lojtarë nën menaxhim, por si mik të vjetër dhe të ngushtë të Igli Tares, i përfshirë në mbylljen e pazarit për Muriqin.
Sipas tekstit, ajo që fillimisht u shfaq si një blerje për të forcuar sulmin po merr trajtën e një skeme ku lidhjet personale mes drejtuesit të Lazios, familjarëve me pozita diplomatike dhe ndërmjetësve të afërt kanë mundësuar lëvizjen e dhjetëra milionë eurove për një transferim të dyshimtë.

