Një ndeshje futsali për fëmijë nën 10 vjeç në Criciúma, shteti Santa Catarina i Brazilit, u përfshi në një incident të dhunshëm kur një baba reagoi me armë ndaj gjyqtarëve. Loja, pjesë e një turneu lokal, u ndërpre rreth minutës së shtatë pasi trupa e gjyqtarëve kërkoi që portieri i njërës skuadre të hiqte vathin për shkak të rregullave të sigurisë. Kërkesa nxiti reagimin agresiv të babait 41-vjeçar, i cili nisi të ofendonte arbitrat dhe u nxor nga salla nga të pranishmit.
Pavarësisht largimit nga ambienti sportiv, ai u kthye më pas me automjetin e tij dhe qëndroi jashtë ndërtesës deri në përfundim të takimit. Kur tre gjyqtarët iu afruan makinës së tyre, 41-vjeçari i kërcënoi dhe hapi zjarr në drejtim të automjetit. Asnjë nga tre pjesëtarët e trupës së gjyqtarëve nuk pësoi lëndime fizike, por të gjithë pësuan gjendje të rëndë shoku psikologjik.
Forcat e policisë ndërhynë shpejt dhe e lokalizuan të dyshuarin në të njëjtën zonë teksa po përpiqej të ndërronte automjetin për t’u arratisur. Ai i rezistoi arrestimit, por u prangos; policia i konfiskoi armën e zjarrit, municionet dhe një sasi parash. Gjyqësori ka regjistruar çështjen si tentativë për vrasje të cilësuar për motive banale, dhe pas seancës dëgjimore ndaj 41-vjeçarit i është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Pas incidentit reaguan menjëherë Sindikata e Gjyqtarëve të Futbollit të Santa Catarina-s (SINAFESC) dhe Federata Lokale e Futsalit (FCFS). Të dy organizmat dënuan ashpër aktin e dhunshëm, duke theksuar se asnjë mosmarrëveshje në fushën e lojës nuk mund të justifikojë kërcënimet apo sulmet me armë ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Burimi i lajmit: Top Channel.

