Një ngjarje e paprecedentë ka tronditur botën e futbollit disa ditë para nisjes zyrtare të Kampionatit Botëror 2026: arbitri elitar somalez Omar Abdulkadir Artan është ndaluar të hyjë në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Artan, 34 vjeç, i konsideruar një nga arbitrat më të mirë dhe më të respektuar në kontinentin afrikan, ishte pajisur me pasaportë diplomatike dhe kishte marrë lejen për udhëtim, por zyrtarët amerikanë të kufirit e kanë kthyer mbrapsht pa dhënë asnjë shpjegim.
Sipas raportimeve të para të konfirmuara nga burime pranë strukturave sportive ndërkombëtare, arbitri është ndaluar në aeroport sapo ka prekur tokën amerikane dhe është detyruar të hipë menjëherë në një avion mbrapsht drejt Turqisë. Ky vendim ka rezultuar në pamundësi të menjëhershme për Artanin që të marrë pjesë si arbitër në turneun më të rëndësishëm të futbollit botëror. Deri më tani, as Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe as departamentet përkatëse amerikane nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar mbi këtë incident diplomatik.
Për Artanin, pjesëmarrja në Botëror përfaqsonte kulmin e një karriere të jashtëzakonshme dhe një moment historik për Somalinë: ai ishte përzgjedhur si i pari arbitër somalez në histori që do të gjykonte në një fazë finale të Kampionatit Botëror. Kohët e fundit ai u shpall edhe “Arbitri më i mirë i vitit” nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), pas performancave të vlerësuara si të shkëlqyera në Kupën e Afrikës dhe në Champions League-n afrikane. Emri i tij ishte pjesë e listës së FIFA-s për turneun, dhe përzgjedhja e tij shihej si një arritje historike për futbollin afrikan.
Vendimi i papritur i autoriteteve të emigracionit në SHBA ka ngjallur reagime të ashpra dhe indinjatë të thellë në komunitetin sportiv afrikan, ndërsa e ardhmja e pjesëmarrjes së Artanit në Kampionat mbetet e paqartë.

