Shqipëria vijon procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, duke kaluar nga hapja e të gjithë grup‑kapitujve drejt mbylljes së tyre. Më 14 korrik, në Bruksel, pritet të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri‑BE ku do të mbyllen tre kapitujt e parë. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE (COREPER) miraton Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Europian për mbylljen provizore të negociatave për Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Miratimi nga COREPER vlerëson rezultatet konkrete të reformave të ndërmarra në vite, përafrimin e avancuar me Acquis‑in e BE dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për avancimin e Agjendës Europiane Shqipëria 2030. Mbyllja provizore e këtyre kapitujve reflekton përparimin në tri fusha kryesore:
Kapitulli 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, rritjen e investimeve në dije dhe zhvillim teknologjik, zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3) si udhërrëfyes për transformimin e ekonomisë drejt Tregut Unik Europian, dhe thellimin e integrimit në Hapësirën Europiane të Kërkimit.
Kapitulli 26 “Arsimi dhe Kultura” vlerëson punën për modernizimin e politikave arsimore drejt Hapësirës Europiane të Arsimit, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit profesional, mbështetjen e zhvillimit të rinisë dhe kulturës, si dhe progresin në përafrimin me objektivat evropiane të arsimit.
Kapitulli 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson linjën strategjike të Shqipërisë si “partner i besueshëm i Bashkimit Europian”, përafrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me politikën tregtare dhe pozicionin e BE në marrëdhëniet me jashtë, si dhe gatishmërinë dhe kontributin e vendit në forcimin e rolit të Bashkimit Europian.
Konferenca Ndërqeveritare e 14 korrikut 2026 në Bruksel shënon mbylljen provizore të negociatave për tre kapitujt e parë, çka sipas tekstit të qeverisë i çon më tej Shqipërinë drejt objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade. Top Channel.

