Pas revolucionit në kompeticionet e klubeve, UEFA po përgatit ndryshime për futbollin e kombëtareve që priten të hyjnë në fuqi nga viti 2028. Ndryshimet prekin Ligën e Kombeve dhe kualifikueset për Europianin dhe Kupën e Botës, me synimin për t’i afruar formatin me modelin e Ligës së Kampionëve, duke krijuar një strukturë më të diferencuar dhe më shumë përballje mes ekipeve të niveleve të ndryshme.
Sipas konceptit të ri, Liga e Kombeve do të kalojë nga katër në tri liga, secila me 18 skuadra, të ndara në grupe. Ekipet do të luajnë gjashtë ndeshje ndaj pesë kundërshtarëve të ndryshëm, në një sistem shtëpi–transferim. Për shkak të numrit total prej 55 kombëtareve, Liga C do të përfshijë një grup me shtatë skuadra.
Kualifikueset europiane do të ridizajnohen në dy nivele: Liga 1, me 36 skuadra, dhe Liga 2, me 18 ose 19 ekipe. Liga 1 do të përbëhet nga tre grupe me nga 12 kombëtare. Shorti do të bazohet në vazo, ndërsa secila skuadër do të zhvillojë gjashtë ndeshje kundër gjashtë kundërshtarëve të ndryshëm, në një sistem që ngjan me fazën e ligës së Champions League. Fitueset e grupeve të Ligës 1 do të sigurojnë kualifikimin direkt në turneun final, ndërsa vendet e tjera për kualifikim do të përcaktohen përmes play-off-eve.
UEFA synon që përmes këtyre ndryshimeve të rrisë numrin e ndeshjeve me peshë, të ulë përballjet pa interes sportiv dhe të ruajë mundësitë e kualifikimit edhe për ekipet e niveleve më të ulëta. Formati i detajuar pritet të marrë miratimin përfundimtar në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s gjatë shtatorit, ndërsa zbatimi do të nisë pas Europianit 2028. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, ka përmendur se reforma ka për qëllim rritjen e vlerës së futbollit të kombëtareve, përmirësimin e konkurrencës dhe shmangien e ndeshjeve pa peshë sportive.

