Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi forcat e armatosura të shkatërrojnë plotësisht, si mbi tokë ashtu edhe nën tokë, atë që e përshkroi si infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut në jug të Libanit. Deklarata u bë gjatë një vizite te trupat izraelite të dislokuara në zonë dhe zyra e tij publikoi detaje të mesazhit përmes rrjetit social X. Ai iu bëri thirrje forcave të veprojnë menjëherë sa herë që identifikohet një kërcënim, pa pritur urdhra të tjerë, dhe kërkoi që të mos lihet asgjë në këmbë, duke iu referuar veçanërisht rrjetit të tuneleve që, sipas Izraelit, përdoren për sulme ndaj veriut të vendit.
Netanyahu deklaroi se Izraeli nuk do të tërheqë trupat nga zonat që kontrollon në jug të Libanit derisa Hezbollahu të jetë çarmatosur plotësisht dhe kërcënimi të jetë eliminuar. Ai e cilësoi Hezbollahun si hallkën më të rëndësishme të asaj që Izraeli e quan “boshti i rezistencës”, aleancën e grupeve të mbështetura nga Irani në rajon. Sipas tij, nga rreth 150 mijë raketat që lëvizja zotëronte, kanë mbetur vetëm 8%, dhe rreth 9 mijë luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë gjatë operacioneve në Liban — shifra të paraqitura nga zyra e kryeministrit në komunikimet publike.
Nga ana tjetër, Hezbollahu dhe qeveria libaneze e konsiderojnë praninë e forcave izraelite në jug të Libanit si një pushtim dhe kundërshtojnë krijimin e një “zone sigurie” nga Izraeli, duke e cilësuar atë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Sipas mediave libaneze, territori aktualisht i kontrolluar nga Izraeli në jug të Libanit është përllogaritur rreth 620 kilometra katrorë, ose afërsisht 6% të territorit të vendit.
Situata mbetet e tensionuar ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për ulje të tensioneve dhe shmangie të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.

