Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump të mos miratojë shitjen e sistemeve të armatimit që do të forconin kapacitetet ajrore të Turqisë, duke shprehur shqetësim lidhur me retorikën e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan ndaj Izraelit. Në fokus të diskutimeve ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë është një marrëveshje rreth 700 milion dollarë për furnizimin me motorë të rinj për avionët luftarakë turq, si dhe mundësia e rikthimit të Ankarasë në programin e avionëve F-35. Turqia u përjashtua nga programi F-35 në vitin 2019, pasi bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400, të cilin Uashingtoni e konsideron të papajtueshëm me sigurinë e teknologjisë së F-35.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance njoftoi se Pentagoni po shqyrton mundësinë e një zgjidhjeje që do t’i lejonte Turqisë të blinte avionët më të avancuar ushtarakë pavarësisht zotërimit të S-400. Netanyahu ka argumentuar se furnizimi i Turqisë me F-35 ose me motorë të rinj për avionët luftarakë do të ndryshonte ekuilibrin ushtarak në Lindjen e Mesme, duke theksuar se epërsia ajrore e Izraelit është një element kyç i sigurisë rajonale.
Ndërkaq, ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, njoftoi se raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Izraelit dhe Libanit do të zhvillohet më 15 dhe 16 korrik në Romë, në nivel ambasadorësh. Leiter bëri të ditur gjithashtu se presidenti i Libanit, Joseph Aoun, pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump më 21 korrik.
Këto zhvillime ndodhin mes frikës për një ringritje të tensioneve në rajon, pas raportimeve se një anije cisternë nafte u godit nga një “predhë me origjinë të panjohur” ndërsa po lundronte drejt jugut pranë brigjeve të Omanit, afër Ngushticës së Hormuzit. Si pasojë e incidentit shpërtheu zjarr në bordin e anijes, por nuk raportohet për viktima.

