Në Tiranë u zhvillua “Mëngjesi i Lutjeve i Europës Juglindore” me moton “Faith and Liberty”, organizuar nga një grup deputetësh të udhëhequr nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Ngjarjen e përshëndetën zyrtarë amerikanë, përfshirë kryetarin e Kongresit të SHBA-së Mike Johnson, senatorin James Lankford, kreun e Grupit për Shqipërinë në Kongresin Amerikan, kongresmenin Robert Aderholt, dhe kryetarin e Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve në SHBA, kongresmenin Ben Cline.
Në aktivitet morën pjesë figura nga SHBA, Europa dhe rajoni, mes të cilëve ish-kongresmeni amerikan Bob McEwen (përmendur si këshilltar i Zëvendës Presidentit amerikan JD Vance për veprimin konservator), ish-këshilltarja e Presidentit George W. Bush, Mary Katherine Andrews, sekretarja e përgjithshme e PPE-së dhe eurodeputetja Dolors Montserrat, zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Eugenio Zoffili, përfaqësues të Institutit Republikan Amerikan, si dhe deputetë nga vendet e rajonit dhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë. Pjesëmarrësit dhe programi u drejtuan nga Arben Malaj dhe Fatmir Mediu.
Gjatë takimit u theksua se popujt e Europës Juglindore njohin mirë çmimin e humbjes së lirisë, pas përvojave me ndarje, konflikte dhe pasiguri. Mesazhi kryesor ishte se besimi i jep njeriut forcën për të përballuar sfidat, ndërsa liria i jep dinjitetin për të jetuar. U theksua gjithashtu se liritë dhe të drejtat vijnë nga Zoti dhe jo nga qeveria; qeveria nuk është Zot i jetës sonë, por duhet të garantojë të drejtat, liritë dhe ndërtimin e të ardhmes e të mirëqenies në Shqipëri.
Në kontekstin e luftërave, polarizimit dhe krizës së besimit në Evropë dhe botë, pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për përgjegjësi morale, solidaritet dhe bashkëpunim mes kombeve. Duke cituar Nënë Terezën — “Nëse nuk kemi paqe, është sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit” — u bë thirrje që Ballkani të mos mbetet peng i historisë, por të ndërtojë një të ardhme mbi vlera demokratike, shpresë dhe liri me përgjegjësi.

