Një grua 49-vjeçare, Andria Hanafin, është gjetur e vrarë me armë zjarri brenda banesës së saj në Reading, Massachusetts. Ajo u zbulua e pajetë në kuzhinë rreth orës 00:38 të së enjtes, pasi bashkëshorti i saj, Matthew Hanafin, u kthye nga puna dhe telefonoi emergjencat. Gruaja u shpall e vdekur në vendngjarje.
Për vrasjen dyshohet djali i saj 22-vjeçar, Ryan Hanafin, i cili u largua nga banesa pas ngjarjes dhe u arrestua disa orë më vonë në Vermont. Në banesë ndodhej edhe djali tjetër i çiftit, 13 vjeç, i cili tha hetuesve se e kishte parë për herë të fundit nënën rreth orës 17:00 para se të dilte me miqtë; kur u kthye rreth orës 21:00 shkoi direkt në dhomën e tij. Djali më i madh rezultonte i zhdukur së bashku me automjetin e tij, një Dodge Charger i zi i vitit 2010.
Autoritetet e Massachusetts njoftuan policinë e Vermontit se ai mund të ishte në zonën e Warrenit, rreth 270 kilometra larg Reading. Të enjten pasdite, rreth orës 14:30, policia e Vermontit lokalizoi automjetin dhe ndaloi drejtuesin; Ryan Hanafin u arrestua dhe u akuzua për statusin e personit të arratisur nga drejtësia. Ai mbahet në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht dhe pritet të dalë para gjykatës të premten pasdite.
Prokurorja e qarkut Middlesex, Marian Ryan, bëri të ditur se i riu kishte në dispozicion disa armë zjarri të zotëruara ligjërisht dhe se leja e tij për mbajtjen e armëve u pezullua të enjten në mëngjes. Autoritetet thanë se para ngjarjes nuk kishte pasur kontakte të njihura të tij me policinë dhe nuk u raportuan probleme të njohura të shëndetit mendor. Motivi i dyshuar i vrasjes nuk është bërë ende publik.
Andria Hanafin, nënë e tre fëmijëve, është kujtuar nga familjarët dhe miqtë si një grua e dashur dhe gjithmonë e gatshme për të ndihmuar të tjerët; vajza e saj ndodhej jashtë shtetit për studime universitare në momentin e ngjarjes. Një mike e familjes, Heather Gagliardi, në një fushatë online për mbledhjen e fondeve shprehu dhimbjen për humbjen e papritur. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes vijojnë.

