Kryeministri Edi Rama mbërriti në Jerevan, Armeni, ku do të zhvillohen punimet e Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian, me pjesëmarrjen e 48 kryetarëve të shteteve dhe qeverive nga e gjithë Europa dhe për herë të parë me praninë e një vendi jo europian, Kanadasë. Në mbërritje ai iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme dhe foli rreth prioritetit të Europës për negociatat me Bashkimin Europian dhe rolit të BE-së ndaj vendeve që synojnë anëtarësimin.
Përpyetjen nëse negociatat me BE-në janë përparësia e Europës, Rama e përshkroi samitin si një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet e përbashkëta, dhe si një rast për të parë sa mund të punojnë së bashku vendet e kontinentit. Ai theksoi se ky është një shans i madh për të vlerësuar rëndësinë e ecjes përpara me bashkimin e Europës. Në fjalën e tij, Rama nënvizoi nevojën për të parë se çfarë qëndron realisht pas ngjarjeve dhe situatave, dhe shtoi se, në kushtet e tanishme, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane.
Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë mund t’u ofrojë Bashkimi Europian vendeve që duan të anëtarësohen, Kryeministri theksoi se nuk bëhet fjalë për të ofruar diçka për dy apo më shumë vende specifike, por për domosdoshmërinë e të menduarit dhe vepruarit shpejt. Sipas tij, kjo nuk është thjesht çështje e vendeve përkatëse, por ka të bëjë me vetë Europën dhe me vetë Bashkimin Europian. Rama vuri në dukje se një Bashkim Europian i paplotë është më i dobët dhe më i cenueshëm se një Bashkim Europian i kompletuar.
Pas deklaratave përpara mediave, Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën nga Kryeministri i Republikës së Armenisë, Nikol Pashinyan. Lajmin e raportoi Top Channel.
