Të paktën 39 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në jug të Libanit gjatë 24 orëve të fundit, njofton Ministria e Shëndetësisë së Libanit, duke shtuar se mes viktimave ka edhe fëmijë. Sulmi më i rëndë u regjistrua në qytetin jugor Saksakiyeh, ku autoritetet libaneze raportuan të paktën shtatë të vrarë, përfshirë një vajzë të mitur, ndërsa 15 të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre tre fëmijë.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan se kishin në shënjestër anëtarë të grupit të armatosur Hezbollah dhe se objektivi ishte një strukturë e përdorur për qëllime ushtarake. Ushtria izraelite tha se kishte marrë masa për të shmangur dëmtimin e civilëve, duke përdorur municione precize dhe mbikëqyrje ajrore.
Përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut vijojnë edhe pas armëpushimit të shpallur më 16 prill nga presidenti amerikan Donald Trump mes qeverive të Izraelit dhe Libanit. Shumica e sulmeve izraelite janë përqendruar në jug të Libanit, ku Tel Avivi pretendon se po godet infrastrukturë dhe persona të lidhur me Hezbollahun. Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA raportoi se sulme të shumta ajrore janë regjistruar në disa zona të jugut të vendit.

