Në portin e Igumenicës autoritetet greke sekuestruan një sasi të madhe droge gjatë një operacioni të koordinuar kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Policia greke (EL.AS) raporton se janë konfiskuar rreth 500 kilogramë kanabis hidroponik, i njohur si “skunk”, sasi që cilësohet si një nga më të mëdhatë të kapura ndonjëherë në territorin grek.
Droga u zbulua e fshehur në një kamion me targa bullgare, i cili kishte mbërritur me traget nga Italia dhe kishte destinacion përfundimtar Turqinë. Kamioni ishte deklaruar zyrtarisht si transporti i produkteve të kuzhinës, por mes ngarkesës ishin vendosur pako me lëndë narkotike. Shoferi, një 50-vjeçar bullgar, është arrestuar dhe raportohet se nuk po bashkëpunon me autoritetet.
Operacioni u zhvillua me ndihmën e një qeni antidrogë dhe u organizua nga strukturat e antidrogës në koordinim me rojen bregdetare. Sipas mediave, kamioni ishte vënë nën vëzhgim për rreth një muaj pas informacionit të siguruar nga autoritetet në Bullgari, çka çoi në ndërhyrjen dhe kontrollin e ngarkesës në portin e Igumenicës.
Autoritetet bëjnë me dije se pjesa më e madhe e drogave të sekuestruara ishte e destinuar për tregun turk, ndërsa një pjesë më e vogël dyshohet se do të shpërndahej brenda territorit grek. Vlera e drogës në tregun e zi vlerësohet si shumë e lartë, duke marrë parasysh cilësinë e kanabisit hidroponik dhe sasinë e konsiderueshme të konfiskuar.
Rasti vijon të hetohet nga autoritetet greke ndërsa i arrestuari po mbahet nën hetim. Asnjë informacion shtesë zyrtar mbi rrjetin e mundshëm të trafikimit apo persona të tjerë të përfshirë nuk është bërë publik deri tani.















