Qeveria ka miratuar ndryshimet në ligjin nr. 66/2023, sipas të cilave ndërtimet e konfiskuara do të administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Funksionet e Komisionit të Objekteve të Konfiskuara dhe të njësisë së zbatimit do t’i kalojnë Agjencisë, pranë së cilës do të ngrihet një grup pune me numër tek anëtarësh, i caktuar me urdhër të titullarit të AAPSK-së. AAPSK do të administrojë objektet dhe fondin e posaçëm, do të përfaqësojë shtetin pranë Kadastrës dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, do të propozojë dhe zhvillojë ankande për shitjen e pasurive dhe do të monitorojë pasuritë e dhëna në përdorim. Objekti i konfiskuar me dokumentacionin teknik dhe ligjor duhet t’i kalojë Agjencisë brenda 30 ditëve; brenda të njëjtit afat do të transferohen edhe fondet dhe dosjet aktualisht të administruara nga strukturat përgjegjëse.
Ndryshimet parashikojnë trajtim të ri për qytetarët që kanë blerë apartamente apo njësi në ndërtime me shkelje të lejes. Kur ndërtimi është përfunduar në strukturë, por ka tejkalime ose shkelje të lejes, dhe njësitë janë në posedim ose përdorim të palëve të treta me kontrata noteriale me investitorin/zhvilluesin, objekti mund të legalizohet dhe regjistrohet sipas legjislacionit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Për pronarët e truallit, projektligji parashikon njohjen e marrëdhënieve kontraktuale të mëparshme me zhvilluesin; pas përfundimit dhe regjistrimit, AAPSK mund t’u kalojë në pronësi njësitë sipas këtyre kontratave, përjashtuar rastet kur pronari i truallit është edhe zhvillues, zbatues, mbikëqyrës ose kolaudues.
Më ndryshon procedura e shitjes së pasurive të konfiskuara: nga mekanizmi i parablerjes parashikohet shitja përmes ankandit publik, ku zhvilluesit, zbatuesit, mbikëqyrësit dhe kolauduesit nuk mund të marrin pjesë, dhe çmimi nuk mund të ulet nën vlerën fillestare të ankandit. Si përjashtim kalimtar, subjektet që deklarojnë vullnetarisht pranë AZHT-së brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi do të ruajnë të drejtën e parablerjes; të drejtat e kaluara të parablerjes do të respektohen.
Projektligji trajton gjithashtu ndërtesat e konfiskuara të papërfunduara: AAPSK do të vlerësojë kostot për përfundimin e punimeve dhe pjesëve shtetërore, shpenzimet do t’u ngarkohen subjekteve përgjegjëse dhe, nëse nuk paguhen, mund të bllokohen llogaritë bankare ose pasuritë. Afati për vlerësimin e pasurive zgjatet nga 30 në 90 ditë me urdhër të titullarit të AAPSK-së. Për objektet e përfunduara mund të kërkohet certifikata e përdorimit, ndërsa për të papërfunduara ndryshimi i lejes së ndërtimit; AAPSK duhet të aplikojë për lejen brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të konfiskimit. Në rast mos-përputhjeje me Planin e Përgjithshëm Vendor, KKTU mund të miratojë një rregullore të veçantë bashkë me ndryshimin e lejes.

