Rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave ka detyruar qeverinë të rishikojë ligjin për strehimin social. Në relacionin që shoqëron projektligjin pranohet se kriteret aktuale ekonomike nuk pasqyrojnë më realitetin e tregut dhe po lënë jashtë skemave të mbështetjes shumë familje që, edhe pse nuk konsiderohen në nevojë ekstreme, nuk kanë mundësi të blejnë një banesë. Për këtë arsye propozohet zgjerimi i bazës së përfituesve të programit të banesave me kosto të ulët.
Si ndryshim konkret përmendet ndryshimi i kriterit ekonomik për përfitimin nga programi i banesave me kosto të ulët, nëpërmjet rritjes së kufirit të të ardhurave nga 1/6 në 1/2 të vlerës mesatare të banesës në treg, me synimin e përfshirjes edhe të kategorive të shtresës së mesme që aktualisht nuk përfitojnë nga programet ekzistuese, por nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm financiar për të siguruar akses të pavarur në treg.
Ndryshimi argumentohet me të dhëna zyrtare: Indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë tregon se çmimet e banesave u rritën me 28% në fund të 2025, ndërsa pritet që rritja të vazhdojë edhe këtë vit. Relacioni mbështetet gjithashtu në të dhëna të INSTAT-it, Bankës së Shqipërisë dhe Eurostat-it që evidentojnë rritje të kostove të strehimit dhe ulje të përballueshmërisë për qytetarët.
Projektligji nuk kufizohet vetëm te zgjerimi i përfituesve, por synon krijimin e mekanizmave të rinj financimi që të ulin varësinë e programeve të strehimit social nga fondet e buxhetit të shtetit. Një nga risitë është krijimi i projekteve me destinacion të kombinuar, ku banesat në treg të lirë do të gjenerojnë të ardhura që financojnë ndërtimin dhe zgjerimin e fondit të banesave sociale. Instrument tjetër i propozuar është Garancia Sovrane, e cila do të mbështesë familjet për përfitimin e kredive të lehtësuara për blerjen e banesës. Qeveria synon gjithashtu të rrisë përfshirjen e sektorit privat në financimin e programeve të strehimit.
Nëse miratohet, projektligji synon të përshtatë politikat e strehimit me realitetin e ri të tregut të banesave, ku rritja e çmimeve ka vështirësuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve në një shtëpi të përballueshme.

