Akademik emeritus Mark Tirta, një prej studiuesve të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare, u nda nga jeta më 27 gusht 2026 në moshën 88-vjeçare. Akademia e Shkencave njoftoi vdekjen e tij duke theksuar se shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar që për më shumë se gjashtë dekada i kushtoi jetën kërkimit shkencor, dokumentimit dhe interpretimit të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve.
Mark Tirta lindi më 21 maj 1938 në Orosh të Mirditës. Kreu studimet e larta në degën Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës, të cilat përfundoi në vitin 1961. Pas studimeve punoi në arsim në rrethin e Mirditës, ndërsa në vitin 1968 nisi veprimtarinë kërkimore në sektorin e etnografisë të Institutit të Historisë. Prej vitit 1979 vijoi veprimtarinë pranë Institutit të Kulturës Popullore, ku ndërtoi pjesën kryesore të karrierës së tij shkencore. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, dhe më vonë mori statusin Akademik Emeritus.
Tirta njihtej për punën e tij të terrenit: mori pjesë në ekspedita të shumta në vise të ndryshme shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar dëshmi mbi jetën, traditat, zakonet, besimet dhe mënyrat e organizimit të komuniteteve. Fushat e punës së tij përfshinin migrimet e popullsisë shqiptare, mitologjinë popullore, aspektet e familjes, veshjet popullore, së drejtën zakonore, toponiminë e antroponiminë, artin popullor, historinë e etnologjisë shqiptare dhe studimin e personaliteteve të kësaj fushe.
Trashëgimia bibliografike e tij përfshin mbi 300 punime shkencore e kulturore, më shumë se 100 kumtesa në sesione, simpoziume, konferenca dhe kongrese, dhe rreth 42 punime të botuara në gjuhë të huaja. Ndër veprat kryesore të tij përmenden: Mitologjia ndër shqiptarë (2004), Etnologjia e shqiptarëve (2003, 2006), Etnologjia e përgjithshme (2001, 2008), Migrime të shqiptarëve (1999), Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji (2006), Panteoni e simbolika, doke e kode… (2007) dhe Lëvizjet migruese të shqiptarëve, të brendshme e në popujt më afër (2013).
Akademia vlerëson se jeta dhe veprat e tij lidhen ngushtë me përpjekjen për të njohur, ruajtur dhe përcjellë te brezat pasurinë e traditave dhe mënyrave të jetës së popullit shqiptar. Ajo shprehu ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje.

