Të mbijetuarit e mbytjes së një trageti pasagjerësh pranë brigjeve të Kyrenias kanë rrëfyer momentet e panikut dhe kaosit në bord dhe kanë ngritur akuza ndaj ekuipazhit. Përveç akuzave, autoritetet raportojnë deri tani 8 viktima, dhjetëra të zhdukur dhe se në total në bord ndodheshin rreth 267 persona, ndërsa qindra të tjerë janë shpëtuar. Operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon ndërsa hetimet synojnë të zbardhin shkaqet e mbytjes dhe nëse ka pasur mangësi në masat e sigurisë.
Një prej të mbijetuarve, Ibrahim Kanbolat, përshkroi se ngjarjet ndodhen shumë shpejt pasi uji nisi të hynte në mjet. Ai tha se kur pasagjerët vërenin problemin dhe njoftuan ekuipazhin, u përgjigjën se një situatë e tillë ishte “normale” dhe se ata ishin mësuar me të. Sipas dëshmisë së tij, uji depërtoi në mënyrë të pakontrolluar dhe më pas u dëmtua një pjesë e anës së mjetit, çka bëri që anija të fillonte të anohej menjëherë.
Kanbolat tha se një anëtar i ekuipazhit u drejtua në pjesën e pasme dhe kërkoi që pasagjerët të lëviznin në atë drejtim, por sipas tij nuk u shpërndanë jelekë shpëtimi. “Secili shpëtoi me forcat e veta”, tha ai, duke theksuar se situata ishte e rënduar nga prania e fëmijëve dhe njerëzve që nuk dinin të notonin. Ai përmendi gjithashtu se anëtarët e ekuipazhit ishin me origjinë pakistaneze dhe se kishte vështirësi në komunikim me pasagjerët.
Kanbolat rrëfeu se xhamat ishin thyer dhe anija po anohej, dhe se pasagjerët ishin në gjendje shoku. Ai u shpëtua në fund nga një mjet privat. Në portin e Kyrenias familjarët e viktimave dhe të zhdukurve kanë mbledhur dhe pamjet tregojnë skena emocionale, me familjarë që qajnë dhe presin informacion për fatin e të afërmve të tyre.
Autoritetet po vazhdojnë operacionin e kërkim-shpëtimit dhe hetimet për të përcaktuar saktësisht rrethanat e tragjedisë.

