Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë vijuar kontrollet dhe matjet në subjekte të hapura dhe të mbyllura që zhvillojnë aktivitet me muzikë në zonat e Potamit dhe Dhërmis, në zbatim të planit të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit veror dhe të hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike. Gjatë inspektimeve u kontrolluan dhe u bënë matje në disa subjekte; shumica rezultuan brenda kufijve të lejuar të zhurmës.
Megjithatë, në një beach bar në Potam u konstatuan muzikë në orën 00:30, duke shkelur kufizimet e përcaktuara nga ligji “Për administrimin e zhurmës në mjedis”. Për këtë shkelje, pronarit të subjektit, shtetasit S.R., 37 vjeç, i është vendosur masa administrative me gjobë prej 200 000 lekësh të rinj.
Përveç masës administrative, në vijim të veprimeve procedurale pronari dhe pesë shtetas të tjerë u proceduan penalisht. Mes të proceduarve ishte edhe një muzikant i punësuar në subjekt, 35 vjeç. Arsyet për procedimin penal kanë të bëjnë me prishjen e qetësisë publike dhe mosbindjen ndaj urdhrave të punonjësve të Policisë për të ndaluar aktivitetin muzikor. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme lidhur me veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Policia e Shtetit apelon sërish te pronarët dhe administratorët e subjekteve që zhvillojnë aktivitet me muzikë që të respektojnë kriteret ligjore lidhur me orarin e zhvillimit të këtyre aktivitetesh dhe nivelin e zhurmës që gjenerohet prej tyre, në përpjekje për të parandaluar shqetësimet për qytetarët dhe shkeljet e ligjit për administrimin e zhurmës në mjedis.

