Qytetarët e Islandës do të votojnë në fund të gushtit në një referendum për të treguar nëse duan që vendi t’i rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Referendumi nuk vendos drejtpërdrejt për aderimin, por për vazhdimin e negociatave, dhe pritet të ketë rezultat të ngushtë pasi sondazhet tregojnë një elektorat të ndarë.
Një votë pro për rifillimin e negociatave konsiderohet se mund të ndryshojë dinamikën e procesit të zgjerimit të BE-së. Aktualisht, Mali i Zi dhe Shqipëria janë shtetet më të avancuara në bisedime, dhe rikthimi i Islandës në procedurë e vendos atë në garë të drejtpërdrejtë me ta. Në Tiranë dhe Podgoricë referendumi shihet si një shenjë pozitive, pasi rritja e konsensusit në Europë në favor të zgjerimit mund të krijojë një mjedis politik më të favorshëm për vendet kandidate që kanë investuar në këtë proces, përfshirë Shqipërinë.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë, në një prononcim për Radion Europa e Lirë, thekson se procesi i zgjerimit nuk duhet parë si lojë me rezultat zero, ku përparimi i një vendi përbën humbje për një tjetër. Sipas saj, një rezultat pozitiv në Islandë mund të krijojë një moment politik të ri në nivel europian për debatin mbi zgjerimin dhe të forcojë bindjen se Bashkimi Europian mbetet një projekt i suksesshëm politik, ekonomik dhe gjeopolitik në kontinent.
Po ashtu, burimet e Ministrisë theksuan se çdo vend europian ka të drejtën të zgjedhë rrugën e vet drejt integrimit. Fakti që një vend me nivel të lartë zhvillimi, institucione të konsoliduara dhe integrim të thellë ekonomik me Europën po shqyrton sërish afrimin me BE-në interpretohet si tregues se projekti europian vazhdon të jetë tërheqës, i besueshëm dhe strategjik për vendet e kontinentit.

