Një tërmet i fortë është ndjerë mbrëmjen e sotme në Napoli dhe zonat përreth, me lëkundjen sizmike të regjistruar rreth orës 19:46. Sipas një vlerësimi paraprak të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, magnituda ka qenë 4.7. Pas goditjes së fortë shumë banorë dolën në rrugë pak para orës 20:00, pasi lëkundjet u ndjenë në disa lagje të qytetit.
Deri tani nuk raportohen dëme në ndërtesa apo persona të lënduar, megjithëse autoritetet kanë nisur verifikimet për të kontrolluar gjendjen e strukturave. Tërmeti ka shkaktuar gjithashtu probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona të Napolit; ndërprerje janë raportuar veçanërisht në qendrën e qytetit, lagjen Chiaia dhe pjesën perëndimore të Napolit.
Për shkak të lëkundjeve sizmike, qarkullimi hekurudhor në linjat Cumana dhe Circumflegrea është pezulluar përkohësisht, me qëllim kryerjen e kontrolleve të sigurisë. Njoftimi u bë nga EAV, kompania e transportit publik të Rajonit të Kampanias që menaxhon linjat hekurudhore në zonën e Fushave Flegreane.
Tërmeti erdhi në një mbrëmje të veçantë për qytetin, i cili po zhvillon një festë jozyrtare të tifozëve për 100-vjetorin e Napolit; sipas organizatorëve, më shumë se 10 mijë persona kanë marrë pjesë në procesionin e tifozëve. Megjithëse lëkundjet shkaktuan panik mes pjesëmarrësve dhe banorëve, deri tani nuk ka raportime për pasoja serioze.
Lajmi mbi tërmetin dhe pasojat e tij të menjëhershme është bërë i ditur nga burime lokale dhe institucionet përkatëse, ndërsa hetimet dhe kontrollet e sigurisë kontinuan për të vlerësuar ndikimin në infrastrukturë dhe shërbime. Top Channel.

