Piktori dhe skulptori Amedeo Modigliani vjen në Tiranë përmes disa prej veprave më të rëndësishme të tij, që kanë shënjuar artin e shekullit XX dhe që vijojnë të ofrojnë pika reflektimi për studiuesit dhe dashamirët. Koleksioni erdhi për publikun shqiptar nga Fondacioni Kalo Art dhe Arkivat Ligjore të Amedeo Modiglianit dhe është vendosur në Galerinë Kalo.
Ekspozita përfshin piktura, vizatime, objekte dhe mjete pune nga jeta e artistit. Përmes këtyre punimeve, publiku mund të njohë jo vetëm gjuhën e tij artistike, por edhe kontekstin historik dhe kulturor në të cilin është zhvilluar krijimtaria e tij. Ekspozimi i elementeve materialë të krijimtarisë synon të nxjerrë në pah mënyrën e të punuarit dhe temat që përsëriten në veprat e Modiglianit.
Subjektet në punimet e tij, shpesh të karakterizuara nga trupat e zgjatura dhe sytë bosh, identifikohen qartë si ‘Modigliani’. Çdo portret, sipas ekspozimit, rrëfen një histori të veçantë rreth jetës dhe artit të tij, me imazhe që përcjellin trajta të konsoliduara të figurës njerëzore. Themeluesi i Galerisë Kalo, Përparim Kalo, shprehet se “Modigliani është i njohur për figurën njerëzore, gruan me qafën e gjatë, nudot dhe sytë në formë grope si të pajetë”.
Piktori Gazment Leka vlerëson veçantinë e artistit duke thënë se “Nuk ra viktimë e asnjë rryme që qarkullonte në atë kohë, që ‘shumonte’ artistët. Është shumë i dallueshëm, më është dukur si një një vrimë e zezë në universin e artit dhe kushdo që i afrohet Modiglianit, ashtu sikurse edhe Van Gogh, ka rrezik të bjerë brenda”.
Kujdestari i arkivave të Modiglianit, Christian Parisot, përshkruan fokusin e ekspozitës: “Ai kishte këtë dashuri të shfrenuar për trupin femëror… në kuptimin e lirisë së shqisave, për të zbuluar këto forma, dhe mbi të gjitha karakterin, sepse ai ishte i apasionuar pas psikanalizës. Mesazhi i kësaj ekspozite shumë të vogël është i përqendruar tërësisht te bukuria e trupit të gruas”.
Ekspozita e çelur në Galerinë Kalo do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 30 maj.

