Vala e të nxehtit ka hyrë edhe në fushën politike në Francë: ligjvënësit e Partisë së Gjelbër paraqitën një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, duke e akuzuar për dështim në menaxhimin e situatës ekstreme që preku vendin që nga fundi i qershorit. Nisma është firmosur nga 32 deputetë të Gjelbër, 25 deputetë të partisë së majtë radikale France Insoumise dhe një deputet socialist, dhe pritet të shqyrtohet në Asamblenë Kombëtare më 6 korrik.
Sondazhet dhe lëvizjet partiake bëjnë që mocioni të ketë pak shanse për të rrëzuar qeverinë e pakicës së kryeministrit Sébastien Lecornu: partia e djathtë Tubimi Kombëtar (Rassemblement National) njoftoi se nuk do ta mbështesë, ndërsa socialistët deri tani nuk kanë votuar pro mocioneve të ngjashme kundër qeverisë. Zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, kritikoi iniciativën e opozitës, duke deklaruar se “qeveria po menaxhon krizën, ndërsa disa forca politike po përpiqen ta thellojnë atë përmes mocionit të mosbesimit”.
Autoritetet franceze raportojnë se që nga 20 qershori vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën ka shkaktuar të paktën 1 mijë vdekje shtesë në Francë. Edhe pse temperaturat kanë rënë nga nivelet rekord të ditëve të fundit, ato në pjesën më të madhe të vendit mbeten rreth 30 gradë Celsius. Sipas shërbimit meteorologjik Météo-France, një tjetër valë e të nxehtit pritet të godasë vendin gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme.
Kohëzgjatja, intensiteti dhe shtrirja gjeografike e këtij episodi të ri mbeten ende të paqarta. Ky pritet të jetë vala e tretë e të nxehtit për këtë vit, ndërsa vala e parë erdhi në mënyrë të pazakontë që në muajin maj.

